Lidhje

SHBA nuk pranon negociata me Talebanin - 2001-09-18


Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar ofertën e qeverisë taleban të Afganistanit për të zhvilluar negociata lidhur me disitentin saudit, Osama bin Laden, duke thënë se Uashingtoni kërkon që Talebani të veprojë dhe nuk pranon negociata. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Bush do nga Talebani që të marrë masat e nevojshme që të mos strehojë terroristë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se ka ardhur koha për veprim nga ana e Talebanit dhe nuk ka vend më për negociata. Ai tha se qeveria afgane duhet të ndalojë strehimin e terroristëve dhe të dorëzojë Osama bin Ladenin. Autoritetet e Talebanit e quajnë kërkesën e Shteteve të Bashkuara një “pretekst” për të shkatërruar qeverinë e tyre. Udhëheqësi suprem Mullah Mohammed Omar ofroi bisedime të hapura me Shtetet e Bashkuara për të diskutuar çështjen. Ai i bëri thirrje administratës së presidentit Bush të tregohet e kujdesshme dhe të japë prova që Osama bin Ladeni është prapa sulmeve që llogariten të kenë vrarë më shumë se 5 mijë njerëz. Presidenti Bush tha se zoti bin Laden është i dyshuari kryesor për këto sulme. I pyetur për prova, zoti Fleischer tha se Shtetet e Bashkuara kanë shumë arësye të besojnë që ai është organizatori i sulmeve. Osama bin Laden është akuzuar për sulmet në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998 dhe shpërthimin në Qendrën Botërore të Tregëtisë më 1993.

Klerikët e lartë islamikë të Afganistanit janë mbledhur sot në Kabul për të diskutuar rreth kërkesës për dorëzimin e Osma bin Ladenit dhe për të shmangur një kundërpërgjigje të mundshme të Shteteve të Bashkuara. Udhëheqësi taleban, Mullah Mohammad Omar tha se qeveria taleban dëshiron të sigurojë botën se i mërguari saudit nuk lejohet të përdorë teritorin e Afganistanit për të ndërmarrë sulme terroriste kundër ndonjë vendi.

XS
SM
MD
LG