Lidhje

Presidenti Bush zotohet para Kongresit - 2001-09-21


Presidenti Bush u zotua mbrëmë para Kongresit amerikan të përdorë çdo burim që ka në dispozicion për të mundur terrorizmin global. Ai u përcolli këtë ultimatum sunduesve talebanë të Afganistanit: dorëzoni Osama bib Ladenin ose vuani pasojat. Deklaratat e presidentit Bush ishin të hapura dhe të qarta. “Dhembja jonë është kthyer në zemërim dhe vendosmëri. Nuk ka rëndësi nëse sjellim armiqtë tanë para drejtësisë apo drejtësinë para armiqëve tanë, rëndësi ka që drejtësia do të çohet në vend,” theksoi presidenti. Duke folur nëntë ditë pas sulmeve terroriste më vdekjeprurëse në historinë amerikane, presidenti Bush u bëri thirrje forcave të armatosura të Amerikës që të jenë gati. Ai i bëri thirrje popullit amerikan të jetë i durueshëm dhe i fortë. “E di që shumë qytetarë janë të frikësuar sonte, unë ju kërkoj të jeni të qetë dhe të vendosur, edhe përballë një kërcënmimi të vazhdueshëm.” Në të vërtetë, presidenti po u drejtohej dy grupeve të ndryshme dëgjuesish, njëri i brendshëm dhe tjetri i jashtëm. Ai iu drejtua sunduesve talebanë të Afganistanit me një ton të prerë. Ata kanë kundërshtuar kërkesat për të dorëzuar ekstremistin saudit, Osama bin Laden, njeriu që administrata e presidentit Bush ngul këmbë se është i dyshuari kryesor lidhur me sulmet e javës së kaluar. “Autoritetet talebanë duhet të veprojnë menjëherë. Ata duhet t’i dorëzojnë terroristët ose përndryshe i pret fati i terroristëve.” Presidenti Bush tha se shumë vende u kanë shprehur Shteteve të Bashkuara keqardhje dhe mbështetje. Vendet e tjera theksoi ai, duhet të zgjedhin se cilën rrugë të marrin. “Çdo vendi, në çdo rajon i duhet të vendos. Ose jeni me ne, theksoi presidenti, ose jeni me terroritët.” Presidenti Bush i ka vazhduar bisedat me udhëheqës botëror që nga dita kur terroristët goditën me avionë të rrëmbyer Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin, duke shkaktuar vdekjen e mijëra vetave. Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, u takua me presidentin Bush pak para fjalimit dhe e shoqëroi atë në selinë e Kongresit. “Ne qendrojmë përkrah jush në këtë rast pa ngurrimin më të vogël. Ky është një problem që na shqetëson të gjithëve, mbarë botën e lirë, demokratike dhe të qytetëruar.” Gjatë fjalimit të presidentit Bush, kryeministri Blair qëndnroi në krah të djathtë të zonjës së parë, Laura Bush. Në anën e saj të majtë ishte kryetari i bashkisë së qytetit New York, Rudolph Giuliani. Salla e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila përdoret vazhdimisht për sesione të përbashkëta, ishte e mbushur plotë. I vetmi fjalim tjetër i presidentit Bush para legjislaturës u mbajt në muajin shkurt, kur klima e fushatës së hidhur presidenciale të vitit të kaluar mbretëronte në këtë sallë. Këtë radhë, atmosfera ishte krejtësisht ndryshe. Aty mbretëronte fryma e unitetit, dhimbja dhe vendosmëria. “Kundër nesh, tha presidenti Bush, është bërë një e keqe e madhe. Ne kemi pësuar një humbje shumë të rëndë. Dhe në pikëllimin e zemërimin tonë kemi gjetur misionin tonë, momentin tonë.” Gjatë gjithë fjalimit mund të vihej re shumë qartë se sa shumë gjëra kanë ndryshuar në Amerikës që nga e dita e sulmeve terroriste. Nënpresidenti Dick Cheney nuk ishte i pranishëm gjatë fjalimit. Historianët thonë se është e para herë që shqetësimet rreth sigurimit kanë detyruar nën-presidentin e Shteteve të Bashkuara të mos marrë pjesë në një sesion të përbashkëtë të të dyja Dhomave të Kongresit amerikan.

XS
SM
MD
LG