Lidhje

Kalendari Historik i datës 22 shtator - 2001-09-22


Më 22 shtator të vitit 1862, më se një vit pas fillimit të Luftës Civile Amerikane, presidenti Abraham Linkoln bëri të njohur planin e tij për të çliruar skllevërit e shteteve të Jugut, i cili u quajt Proklamata e Emancipimit. Në Proklamatë thuhej se skllevërit në territoret e Jugut, të pushtuara nga Unioni, do të ishin të lirë. Presidenti Linkoln tha se Proklamata do të hynte në fuqi më 1 janar të vitit 1863. Historiani James McPherson, thotë se me Proklamatën e Emancipimit, presidenti Linkoln i shpallte luftë institucionit të skllavërisë.

Më 22 shtator 1776, Ushtria Britanike ekzekutoi me varje mësuesin nga shteti Connecticut, Nathan Hale, duke e akuzuar si spiun të amerikanëve. Nathan Hale, kapiten i ushtrisë revolucionare, kishte dalë vullnetar për të mbledhur informacion rreth pozicioneve britanike, pasi trupat britanike kishin mundur ushtrinë e gjeneralit George Washington, në Betejën e Brooklinit. I maskuar si mësues holandez, ai kishte mundur të hynte brenda vijave të frontit të armikut. Një amerikan besnik i britanikëve e njohu dhe e raportoi. Nathan Hale u arrestua nën akuzat për spiunazh. Ai ishte veshur si civil dhe kishte me vete harta që tregonin pozicionet e trupave britanike. Nathan Hale i pranoi akuzat dhe të nesërmen u var. Thuhet se para se ta varnin ai tha: Më vjen keq se kam vetëm një jetë, që mund ta humbas për atdheun tim. Dinjiteti dhe trimëria e Nathan Hale-it përballë vdekjes u admiruan nga të gjithë dhe ai u bë një nga martirët e parë për kauzën e lirisë amerikane. Në ditët tona një statujë e Nathan Hale-it ngrihet përpara selisë së Agjencisë Qendrore të Zbulimit, në Langley të shtetit Virginia, pranë Uashingtonit.

XS
SM
MD
LG