Lidhje

Kalendari Historik i datës 18 shtator - 2001-09-22


Më 18 shtator 1793 presidenti George Washington vuri gurin e themelit në ndërtesën e re të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Arkitekti fillestar i ndërtesës kishte qenë, Dr. William Thornton, por projekti u përfundua nga James Hoban, i cili ishte gjithashtu arkitekti i selisë së presidentit, që tani quhet Shtëpia e Bardhë. Kapitoli dhe selia e presidentit ishin dy ndërtesat e para të planifikuara për kryeqytetin e ri federal, Distriktin e Kolumbias. Në vitin 1800 Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati filluan të mblidhen në krahun verior të Kapitolit akoma të papërfunduar. Po ashtu edhe Gjykata e Lartë mblidhej në Kapitol. Britanikët i dogjën si kapitolin edhe selinë e presidentit në vitin 1814, gjatë luftës së 1812-ës. Kongresi filloi të mblidhet përsëri në Kapitol më 1819 dhe ndërtesa u përfundua më 1827. Kubeja 55 metra e lartë e Kapitolit u përfundua më 1865 dhe vazhdon të jetë një simbol i demokracisë amerikane.

Numri i parë i gazetës amerikane, The New York Times, u botua më 18 shtator 1851. Ajo kishte 4 faqe dhe kushtonte një cent. Brenda 10 javësh tirazhi i saj u ngrit në 20 mijë kopje në ditë. Botuesi Henry Raymond, ngulte këmbë që gazeta e tij të kishte më shumë lajme dhe që njoftimet t’i trajtonin çështjet më në thellësi se gazetat e tjera të epokës. Ai i kushtonte gjithashtu vëmendje të posaçme mbulimit të ngjarjeve në vende të tjera, duke ndjekur traditën e gazetës shumë të vjetër, Times, të Londrës. Theksi që gazeta e Nju Jorkut vinte që në fillimet e saj për të mbuluar në thellësi ngjarjet kombëtare dhe ndërkombëtare, i dhanë asaj fizionominë që e ka ruajtur gjatë 149 vjetëve të historisë së saj.

XS
SM
MD
LG