Lidhje

Kalendari Historik i datës 21 shtator - 2001-09-22


Më 21 shtator të vitit 1981, Senati amerikan miratoi kandidaturën e zonjës Sandra Day O’Connor, për t’u bërë e para grua anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Reagan e kishte emëruar për në këtë detyrë gjykatësen nga Arizona, pasi kishte premtuar gjatë fushatës presidenciale të vitit 1980, se do të caktonte një grua si anëtare të Gjykatës së Lartë të vendit. Seancat me pyetje-përgjigje për konfirmimin e kandidaturës së zonjës O’Connor, para Komisionit Juridik të Senatit, bënë që ajo të vlerësohej lart për intelektin dhe njohuritë e thella në fushën e filozofisë ligjore. Të vetmet pyetje që u ngritën kishin të bënin me faktin që si ligjëvënëse e shtetit të Arizonës, ajo kishte votuar në favor të së drejtës për abort. Senati miratoi njëzëri kandidaturën e zonjës O’Connor. Tani ajo është një nga dy gratë anëtare të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, të përbërë prej 9 anëtarësh. Gruaja tjetër anëtare e Gjykatës së Lartë është Ruth Bader Ginsburg, e cila u propozua nga presidenti Klinton dhe filloi të shërbejë si anëtare e gjykatës së Lartë më 1993.

Më 21 shtator 1716 u ndez fanari i parë në Amerikë. Fanari i Bostonit u financua nga Massachusetts Bay Company e Londrës, për t’u ardhur në ndihmë anijeve që të kalonin pa probleme nëpër hyrjen ndonjëherë të rrezikshme të limanit të Bostonit. Fanari qëndronte mbi një shtëpi prej druri, e cila u shkatërrua gjatë Revolucionit Amerikan. Ajo u zëvendësua nga një kullë 30 metra e lartë, ndërtuar me tulla e gurë, e cila vazhdon të punojë pa ndërprerje deri në ditët tona, që nga viti 1783. Më 1939 Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara mori përsipër detyrën për mirëmbajtjen e Fanarit të Bostonit dhe të 450 fanarëve të tjerë në gjithë Amerikën.

XS
SM
MD
LG