Lidhje

Rice: nuk u besojmë komenteve të Talebanit - 2001-09-23


Shtepia e Bardhë tha se nuk u beson njoftimeve të fundit se Osama bin Laden, që dyshohet si organizator i sulmeve terroriste të 11 shtatorit, është zhdukur. Udhëheqësit e regjimit Taleban në Afganistan, kanë deklaruar se nuk e dinë se ku ndodhet ai. Por administrata e Presidentit Bush thotë se kjo nuk do t’i frenojë përpjekjet e saj.

Zyrtarët talebanë i thanë Agjencisë Islamike Afgane se Osama Bin Laden nuk dihet se ku ndodhet. Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar pranë Shtëpisë së Bardhë, Condoleza Rice tha se administrata e presidentit Bush do ta gjejë nëse talebanët po tregojnë apo jo të vërtetën. Ne nuk do të frenohemi para komenteve se ai rezulton i zhdukur. Ne thjesht, nuk e besojmë këtë, tha zonja Rice.

Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar përsëriti kërkesën e Shteteve të Bashkuara se Talebani duhet ta dorëzojë menjëherë Bin Ladenin, i cili është i dyshuari kryesor për sulmet terroriste të 11 Shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.

Besoj se Talebani do të fillojë ta kuptojë se do t’i duhet të marrë një vendim shumë të vështirë, tha zonja Rice.

Ajo paralajmëroi se nëse Talebani nuk i përgjigjet kërkesave amerikane, atëherë ai do të ndeshet me zemërimin e një koalicioni ndërkombëtar.

Zonja Rice tha se Washingtoni do t’ua paraqesë aleatëve dhe vendeve mike çështjen, por pa vënë në rrezik procesin hetimor lidhur me sulmet.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të vënë në shenjestër zemrën e rrjetit terrorist, dhe nuk do të përpiqen vetëm t’i presin kokën atij, siç u shpreh ajo.

Zonja Rice tha gjithashtu se sulmet terroriste të 11 shtatorit ishin akte lufte dhe Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën të vetmbrohen në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Ajo tha se Washingtoni nuk ka nevojë për autorizim të mëtejshëm nga Kombet e Bashkuara për kundërpërgjigje ndaj terroristëve.

XS
SM
MD
LG