Lidhje

Kalendari Historik 24 shtator - 2001-09-24


Shkrimtari Francis Scott Fitzgerald, i njohur më shumë për romanin e tij klasik amerikan, Getsbi i Madh (The Great Gatsby), lindi më 24 shtator të vitit 1896 në St. Paul të shtetit Minnesota. Atij i patën vënë emrin e kushëririt të tij të largët, Francis Scott Key, autorit të fjalëve të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Fitzgerald u bë i famshëm pas botimit, më 1920, të romanit të tij të parë, Kjo Anë e Parajsës. Ngjarjet e këtij romani pasqyronin kryesisht përvojën e tij si student në universitetin Princeton. Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ndodhej në Camp Sheridan, pranë qytetit Montgomery, në shtetin Alabama, Scott Fitzgerald u njoh me gruan e tij të ardhshme, Zelda Sayre. Së bashku ata u bënë çifti i parë i famshëm i periudhës së xhazit të viteve 1920, duke bërë një jetë të bujshme dhe duke tërhequr vëmendjen e opinionit ngado që shkonin. Ata u bënë pjesë e komunitetit të mërguar amerikan në Paris, në radhët e të cilit shquheshin figura të tilla të njohura, si Ernest Hemingway, Archibald MacLeish, John Dos Passos dhe Gertrude Stein. Por megjithëse bënin një jetë në dukje të lakmueshme, Fitzgeraldëve u duhej në të njëjtën kohë, të përballonin probleme të vështira që lidheshin me alkoolizmin e Scottit dhe sëmundjen mendore të Zeldës, që sa vinte e keqësohej. Getsbi i Madh, që konsiderohet si vepra më e madhe e Scott Fitzgeraldit, pati pak sukses, kur u botua për herë të parë më 1924. Por me kalimin e kohës, romani që ka si temë qendrore aspiratën e amerikanit për sukses material, është bërë një nga veprat më popullore, më të lexuara dhe më të mirëpritura nga kritika, në letërsinë amerikane. Bazuar në romanin e Fitzgeraldit u xhirua një film në vitet 1970 dhe u shkrua një opera në vitin 1999.

F.Scott Fitzgerald vazhdoi të botojë romane dhe tregime në vitet 1930. Por aty nga viti 1936 martesa dhe gjendja e tij shëndetësore po keqësoheshin dhe ai e kaloi pjesën e fundit të dekadës pranë qytetit Asheville, në Karolinën e Veriut, ku Zelda po kurohej nga krizat e përsëritura të skizofrenisë. Vitet e fundit të jetës së tij, Scott Fitzgeraldi i kaloi në Hollywood, duke punuar si skenarist. Ai vdiq më 21 dhjetor 1940 në moshën 45 vjeçare, duke lënë të papërfunduar romanin e tij të fundit, “Manjati i Fundit”.

Më 24 shtator 1906 formacioni gjeologjik, që indianët Sioux(sju) të shtetit Wyoming e quanin Kulla e Perëndive të Këqij, u bë monumenti i parë kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Presidenti Theodore Roosevelt e vuri nën mbrojtjen e qeverisë federale këtë mbeturinë vullkanike, 269 metra të lartë, të cilën ai e quajti Kulla e Djallit. Ai e mbështeti vendimin e tij në Ligjin mbi Antikitetet, që autorizonte presidentin, t’u jepte statusin e monumentit kombëtar, qendrave të rëndësishme shkencore, historike dhe natyrore në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG