Lidhje

Kush janë Talebanët? - 2001-09-24


Për shumë afganë, jeta e përditëshme është një përpjekje e vazhdueshme për mbijetesë ekonomike. Shoqëria afgane është gjithashtu tepër e ndrydhur për shkak të interpretimi të rreptë të islamizimit nga ana e Talebanëve. Kush janë Talebanët? Taleban do të thotë student i islamizmit. Por bota perëndimore i njeh ata si ekstremistë myslimanë të cilët besojnë në interpretimin e rreptë të parimeve të fesë islame. Por studiues të fesë islame thonë se interpretimi i islamizmit nga ana e Talebanëve është në kundërshtim me mënyrën tradicionale të të menduarit.

Për shembull ata besojnë në drejtësi të menjëherëshme dhe në zbatimin e disa parimeve islamike duke mos përfillur parimet e tjera të ligjit islamik. Pikëpamja talebane ndaj grave dhe rolit të tyre në shoqëri është në kundërshtim të hapur në shumë drejtime me disa tradita bazë të fesë islame. Që kur talebanët morrën kontrollin në pjesën më të madhe të Afganistanit 5 vjet më parë, gratë janë ndaluar të punojnë jashtë shtëpisë së tyre. Ato kurrë nuk shihen në publik pa qënë plotësisht të mbuluara.

Vitin e kaluar, rrjeti televiziv i Zërit të Amerikës, VOA TV, intervistoi një grua e cila ishte arratisur nga Afganistani për në Shtetet e Bashkuara për t’iu shmangur kufizimeve të rrepta të vendosura nga Talebanët. "E lashë Afganistanin pasi më mungonte liria. Më dukej vetja sikur isha në burg".

Klerikët taleban kanë një ndikim të madh. Vitin e kaluar, 400 prej tyre votuan për të shkatërruar statujat e lashta të Budës në krahinën Bamiyan të Afganistanit qëndror. Talebanët besojnë se statujat janë idhuj dhe të pa pranueshme për fenë islame. Myslimanët në mbarë botën e dënuan këtë veprim. Madje edhe aleati më i fuqishëm i Afganistanit, Pakistani i kritikoi këto shkatrrime. Pakistani është një nga vendet e vetme që e njeh qeverinë Talebane. Ekspertja Hunter thotë se tani Pakistanit mund t’i vijë keq për këtë aleancë.

Pakistani i ka ndihmuar në një farë mënyre talebanët pasi mendoi se ata do të bëheshin aleatë të mirë. Por gjatë pak viteve të fundit, me rritjen e lëvizjeve radikale në Pakistan, zyrtarët pakistanezë ka të ngjarë se kanë menduar edhe një herë rreth vlerës së talebanëve.

Udhëheqësi taleban Mohamad Omar ka thënë se nuk ekzistojnë prova që Osama bin Laden është përgjegjës për sulmet terroriste. Udhëheqësi taleban u ka bërë thirrje afganëve që të ndërmarrin një luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara. Hamid Mir, gazetar dhe biograf i Bin Ladenit, thotë se talebanët i besojnë ato që thonë. "Ata nuk duan t’a dorëzojnë Bin Ladenin tek amerikanët dhe mendoj se ata do të luftojnë deri në fund".

Por sa afganë do të qëndrojnë në atdhe për të marrë pjesë në luftën e shenjtë? Gjatë 10 vjetëve të fundit, 2 milionë afganë kanë ikur për në Pakistan për të shpëtuar nga varfëria dhe lufta. Ditët e fundit shumë të tjerë filluan të mbledhin plaçkat dhe të ikin nga Kabuli, nga frika e një sulmi nga ana e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG