Lidhje

Cili është Osama bin Ladeni? - 2001-09-24


Zyrtarët amerikanë thonë se i dyshuari kryesor për sulmet terroriste në Nju Jork dhe Uashington është Osama bin Ladeni. Po cili është ky njeri dhe çmendojnë ekspertët për të?

Kur Qendra Botërore e Tregëtisë në New York u sulmua më 11 shtator, shumë ekspertëve u shkoi mendja menjëherë tek një sulm i mëparshëm. Në shkurt 1993 një bombë shpërtheu në një garazh makinash nën kulla. Vdesin 6 vetë dhe plagosen qindra të tjerë.

Ky incident i alarmoi hetuesit se Amerika ishte sulmuar nga forca që thuhej se kishin lidhje me Osama bin Ladenin.

“Bin Laden është një emigrant i pasur nga Arabia Saudite që thuhet se ka një pasuri prej 300 milionë dollarësh e ndoshta ka nën komandë deri në 3 mijë njerëz. Ai synon që këto burime t’i përdorë për të gjunjëzuar Shtetet e Bashkuara në një luftë të shenjtë”, thotë eksperti për çështje të terrorizmit, Robert Blitzer. “Bin Laden është njeriu që përbën një kërcënim të madh për amerikanët, ushatarakë dhe civilë.”

Agjencitë e antikrimit i shohin gjurmët e dorës së tij në sulmet me bomba kundër Shteteve të Bashkuara në Riad dhe Dahran të Arabisë Saudite. Kundër tij janë ngritur akuza lidhur me shpërthimin e bombave në dy ambasadat amerikane më 1998 dhe besohet gjithashtu se në sulmin kundër luftanijes U-S-S Cole në Yemen vitin e kaluar përsëri është dora e tij.

Lufta e shenjtë e Osama bin Ladenit ka filluar para më shumë se 20 vjetësh, kur ai vuri në përdorim pasurinë dhe lidhjet e tij në Arabinë Saudite në ndihmë të ndërtimit të kampeve, rrugëve dhe tuneleve për luftëtarët afganë në luftë kundër ish-Bashkimit Sovjetik. Mullŕ Fazlarahman Mesdaq është zyrtar i shërbimeve të fshehta talebane. “Në kohën që rusët kishin pushtuar Afganistanin, ne kishim shumë probleme dhe kishim nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, Osama ishte njëri prej muxhahedinëve që erdhi në Afganistan.”

Për ironi, ndihmë në këto përpjekje dha edhe CIA, e cila përkrahte luftëtarët afganë kundër ish-Bashkimit sovjetik. Analisti për Lindjen e Mesme, Ahmed Rasheev thotë: “shkaku themelor për këtë ishte kryesisht se bota myslimane, duke mbajtur qendrim të palëkundshëm ndaj Bashkimit Sovjetik, do të tregonte solidaritet jo vetëm me muxhahedinët, por do të shpejtonte rënien e Bashkimit Sovjetik.”

Trupat sovjetike, në të vërtetë u tërhoqën nga Afganistani, por një vit më vonë, kur forcat amerikane u instaluan në Arabinë Saudite për luftën e Gjirit Persik, bin Ladeni e shikoi këtë fakt si pushtim të tokës muslimane nga të pafetë jomyslimanë. “Radikalizimi i tij i vërtetë, shpirti i tij antiperëndimor, lindën pikërisht pas Luftës së Gjirit kur ai pa trupat amerikane t’i vinin në ndihmë regjimit saudit për t’i bërë qendresë Saddam Husseinit,” thotë analisti ahmed Rasheed.

Përfundimisht, autoritetet saudite, miq me Shtetet e Bashkuara i hoqën Osama bin Ladenit nënshtetësinë saudite dhe ai u kthye në Afganistan, ku edhe po kërkohet. “Diplomatët tanë, agjencitë tona të antikrimit, shërbimet e fshehta, dhe, kurdo që të jetë e nevojshme, mjetet tona ushtarake, të gjitha janë përqendruar në përpjekjet për gjetjen e dhe arrestimin e tij”, thotë eksperti Robert Blitzer.

Mirëpo, sa i rëndësishëm është Osama bin Ladeni? “Mendoj se bin Laden ka rol të veçantë përsa i përket lëvizjes fondamentaliste radikale terroriste në arenën botërore, por ai nuk është i vetmi aktor në këtë lojë.”

Ahmed Rasheev është i një mendjeje.“Bin Laden drejton një rrjet gjigand radikalësh. Por nuk ka vetëm një bin Laden, por qindra. Dhe vendin e një bin Ladeni do ta zenë shumë, shumë të tjerë, të cilët në të vërtetë mund të jenë ndoshta më të rrezikshëm dhe më të zemëruar me Shtetet e Bashkuara, thotë Rasheed.”

Kjo mbetet për tu parë. Por ajo që dimë me siguri, thotë Robert Biltzer, është se ndjekja e Osama bin Ladenit do të vazhdojë deri sa ai të nxirret përpara drejtësisë. “Përsa kohë që ka një mandat arresti për të, FBI-ja dhe aleatët tanë, si dhe shërbimet tona të fshtehta do ta ndjekin këmba-këmbës derisa edhe atij t’i vijë koha.

XS
SM
MD
LG