Lidhje

SHBA do të paraqes të dhëna bindëse - 2001-09-24


Shtetet e Bashkuara thonë se do t’i paraqesin popullit amerikan dhe gjithë botës të dhëna bindëse se Osama Bin Ladeni ka qënë i angazhuar në sulmet terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe në Pentagon.

Sekretari i Shtetit, Colin Powell tha se në dokumentin që po përgatitet del qartë se pas këtyre sulmeve fshihen sauditi në mërgim dhe rrjeti i tij Al Kaida. Në këto të dhëna pritet të përfshihet informacion lidhur me sulmet e 11 shtatorit si dhe shërthimet në dy ambasadat amerikane në Afrikën Lindore në vitin 1998 si dhe goditja vetvrasëse e destrojerit amerikan U-S-S Cole në Jemen një vit më parë. Al Kaida lidhet me të tri këto incidente.

Megjithatë, zyrtarë të administratës së Presidentit Bush kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të publikojnë informacion që mund të vërë në rrezik burimet e zbulimit dhe hetimet për këto akte kriminale. Ndërkaq, zyrtarë të lartë amerikanë i kanë hedhur poshtë pretendimet e lëvizjes Taleban në Afganistan se ajo nuk e di vendndodhjen e Osama bin Ladenit.

Sekretari amerikani Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se deklarata e talibanit është “thjesht e pabesueshme”. Këshilltarja e presidentit Bush për çështjet e sigurimit kombëtar, Condoleeza Rice, tha lëvizja Taleban do të ketë përballë një koalicion ndërkombëtar në rritje në qoftë se nuk dorëzon personin e dyshuar si organizator të sulmeve terroriste. Ndërkaq, Aleanca Veriore e opozitës në Afganistan thotë se ka të ngjarë që Osama bin Ladeni të jetë fshehur në krahinën malore Oruzgan, rreth 100 kilometra në veri të qytetit Kandahar, ku është edhe komanda e lëvizjes Taleban. Thuhet se ai ka qënë mysafir zyrtar i Talebanit që nga viti 1996, kur u dëbua nga Sudani. Në një zhvillim tjetër, ambasada amerikane në Islamabad ka konfirmuar se një delegacion ushtarak amerikan ndodhet në Pakistan për të diskutuar për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara kundër Osam bin Ladenit.

XS
SM
MD
LG