Lidhje

Arabia Saudite pret lidhjet me Talebanin - 2001-09-25


Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me qeverinë Taleban të Afganistanit, duke thënë se ajo po shkel parimet e islamizmit duke strehuar dhe mbrojtur terroristët. Në deklaratën e lëshuar sot në Rijad nuk përmendet me emër i mërguari saudit, Osama Bin Laden. Shtetet e Bashkuara e kanë deklaruar atë si të dyshuarin kryesor në aktet terroriste të 11 shtatorit në Washington dhe New York.

Ndërkaq, organizata terroriste e Bin Ladenit, Al Kaida, lëshoi një deklaratë sot në të cilën thuhet se amerikanët dhe izraelitët, kudo që janë do të vihen në shënjestër, në qoftë se Shtetet e Bashkuara e sulmojnë atë apo Afganistanin, ku mendohet se strehohet Osama Bin Ladeni.

Në deklaratën e Al Kaidës u bëhet thirrje myslimanëve të përgatiten për një luftë të shenjtë. Ky paralajmërim iu dërguame faks agjencive të shtypit në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, dhe është nënshkruar nga kreykomandanti i Al-Kaidës, Naseer Ahmed Mujahed. Kjo deklartë pason komentet e ministrit Taleban të Mbrojtjes, Mullah Obaidullah, i cili tha se Talebani ka mobilizuar 300 mijë burra për të mbrojtur kufijtë dhe vende me rëndësi në Afganistan.

Qeveria Taleban e Afganistanit ka tani marrëdhënie diplomatike vetëm me Pakistanin fqinjë. Por Islamabadi tërhoqi dje të gjithë personelin e ambasadës së Pakistanit në Kabul, për arsye sigurimi.

XS
SM
MD
LG