Lidhje

Kalendari Historik  25 shtator - 2001-09-25


Më 25 shtator 1890, Kongresi i Shteteve të Bashkuara i shtoi sistemit të parqeve kombëtare, Parkun Yosemite të Kalifornisë. Ky park me një sipërfaqe prej 1 mijë e 900 kilometrash katrore, ndodhet në Malet Sierra Nevada të Kalifornisë dhe është i famshëm për luginat e tij të harlisura, të prera nga akullnajat, për shkëmbenjët e lartë granitikë dhe për kafshët e egra. Aty gjenden gjithashtu disa nga pemët më të mëdha dhe më të vjetra në botë. Pjesa qendrore e parkut Yosemite ka qenë park shtetëror, por pasi kishte blerë tokë rreth kufijëve të tij, qeveria federale arriti në përfundimin, se shkrirja e parkut në një të vetëm, do të ishte rruga më e mirë për administrimin dhe mbrojtjen e tij. Duke qenë rreth dy orë larg me makinë, në lindje të Gjirit të San Franciskos, Parku Yosemite, është një nga parqet kombëtare më popullore në Shtetet e Bashkuara.

Më 25 shtator 1789 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi 10 shtojcat e para të Kushtetutës. Këto shtojca, apo amendamente, të njohura si Billi i të Drejtave, hodhën bazat e disa lirive dhe garancive procedurale themelore, që nuk mund t’u mohohen qytetarëve nga pushteti qeveritar. Billi i të Drejtave iu shtua kushtetutës së vitit 1787, pasi kundërshtarët e kushtetutës, kishin deklaruar se ajo i jepte shumë pushtet qeverisë qendrore, në kurriz të interesave të popullit. Udhëheqësi i federalistëve, James Madison, që favorizonte kushtetutën e propozuar, premtoi që Billi i të Drejtave do t’i shtohej kushtetutës, pas ratifikimit të saj. Dhjetë amendamentet e Billit të të Drejtave përfshijnë garancitë për lirinë e fjalës, të shtypit dhe të fesë. Ato i njohin popullit të drejtën për t’u organizuar, për t’i bërë kërkesë qeverisë dhe për të mbajtur armë. Billi i të Drejtave i mbron amerikanët nga kontrollet dhe sekuestrimet e paarsyeshme, nga ana e agjencive qeveritare.

XS
SM
MD
LG