Lidhje

Bush u bën thirrje afganëve - 2001-09-26


Presidenti Bush u bëri thirrje qytetarëve afganë të pakënaqur ndaj sunduesve talebanë që të bashkohen me luftën kundër terrorizmit. Presidenti lavdëroi gjithashtu Arabinë Saudite prerjen e marrëdhënieve me talebanët.

Presidenti Bush tha se talebanët përbëjnë një regjim jashtëzakonisht shtypës. Por ai nuk tha se qëllimi i Amerikës është heqja e tyre nga pushteti.

Ne nuk merremi me ndërtim shtetesh. Qëllimi ynë është drejtësia dhe ne do ta realizojmë drejtësinë, tha ai. Megjithatë, Presidenti po e nxit opozitën brenda Afganistanit që të hidhet në veprim. Ai tha se ata njerëz që janë të pakënaqur me regjimin, mund ta ndihmojnë Amerikën të arrijë objektivin e saj të përgjithshëm - të kapë personat përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit, më të rëndat në historinë amerikane.

Njëra mënyrë për ta bërë këtë është të kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve brenda Afganistanit që mund të jenë të zemëruar nga regjimi ose nga prania e Osama bin Ladenit, një i huaj në tokën e tyre, tha presidenti.

Talebanët thonë se Osama bin Ladeni dhe organizata e tij al-Qaida janë mysafirë në Afganistan. Por sipas presidentit Bush, regjimi afgan strehon terroristë dhe do të ketë fatin e tyre.

Ata kanë marrë vendim të strehojnë terroristeë. Tani, misioni është çrrënjosja e terroristëve, gjetja e tyre dhe nxjerrja para drejtësisë. Zoti Bush i bëri këto komente për gazetarët pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin japonez Junichiro Koizumi. Ai shfrytëzoi rastin për të falenderuar të gjithë vendet që po ndihmojnë koalicionin ndërkombëtar të ngritur prej tij për të luftuar terrorizmin, duke e vënë theksin te Arabia Saudite dhe Pakistani.

Disa orë më parë, Arabia Saudite kishte prerë marrëdhëniet me talebanin, një fitore diplomatike kjo për Shtetet e Bashkuara. Tani Pakistani është i vetmi vend që ka marrëdhënie me talebanët.

Presidenti pakistanez Pervez Musharraf ka deklaruar se do t’i mbajë marrëdhëniet sepse, thotë ai, dikush duhet të komunikojë me talebanët. Administrata e Presidentit Bush nuk thotë nëse i ka kërkuar apo jo Pakistanit të presë marrëdhëniet. Presidenti Bush thotë vetëm se ai është i kënaqur me mbështetjen e Pakistanit për fushatën e tij anti-terroriste.

Ne jemi shumë të kënaqur me përgjigjen e tyre. Pakistani është një vend i cili do të preket thellë nga veprimet që ne mund të ndërmarrim ose jo në këtë pjesë të botës, tha ai.

Presidenti falenderoi presonelin e FBI-së për punën e tyre. Ai i kërkoi Kongresit që t’i miratojë kërkesat e tij për zgjerimin e kompetencave të FBI-së në përgjimin e bisedave telefonike dhe ndalimin e personave të dyshuar për terrorizëm. Por disa anëtarë të Kongresit thonë se këto kërkesa janë tepër të gjera dhe mund të prekin liritë dhe të drejtat e individit.

XS
SM
MD
LG