Lidhje

Gënjeshtrat e Osama bin Ladenit - 2001-09-26


Terroristët që vranë mijëra civilë të pafajshëm në sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë në New York dhe në Pentagon pranë Washingtonit, po përpiqen të mashtrojnë botën islame lidhur me aktin e tyre, lidhur me arësyet që i shtynë, dhe se përse veprimet e tyre kanë fituar urrejtjen e njerëzve të qytetëruar në mbarë botën. Në një deklaratë që thuhet se është e Osama bin Ladenit, i dyshuari kryesor si përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit, thuhej se myslimanët janë angazhuar në një luftë të shenjtë. Deklarata u bënte thirrje mylimanëve që të mposhtin të ashtuquajturën ”kryqëzatë të re hebraike të udhëhequr nga kryqtari më i madh Bush nën flamurin e kryqit”

Kjo deklaratë është sa e gënjeshtërt, aq edhe nxitëse e urrejtjes dhe dhunës fetare. Këto gënjeshtra dhe nxitje janë mjetet e preferuara të bin Ladenit.

Bin Ladeni dhe vrasësit që ka me vete, e dinë se Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një fushatë botërore kundër terrorizmit dhe jo kundër Islamit. Siç është shprehur presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara e respektojmë Islamin. Ky besim praktikohet lirisht nga miliona amerikanë dhe nga miliona të tjerë në vende që Amerika i quan mike. Mësimet e Islamit janë sa të mira, aq edhe paqësore. Dhe ata që bëjnë vepra të këqia në emër të Allahut, ata përdhosin emrin e Allahut. Terroristët janë tradhëtarët e besimit të tyre duke u përpjekur në fakt të mbajnë peng vetë Islamin.”

Terroristët praktikojnë një formë të skajshme të ekstremizmit islamik që e përçudnon Islamin. Osama bin Laden është kryebanditi i grupit të quajtur al-Qaida. Edhe përpara se të ndodhte mizoria e 11 shtatorit, al-Qaida kishte kryer disa nga aktet më të egra në botë të terrorizmit, përfshirë shpërthimet e vitit 1998 në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani. Al-Qaida ka stërvitur terroristë nga Taxhikistani, Bosnia, Çeçenia, Somalia, Sudani, Jemeni, Filipinet, Egjipti, Libia, Pakistani dhe Eritreja. Në vitet 90 ajo kishte hartuar plane për vrasjen e Papës Gjon Pali i Dytë dhe presidentit Bill Clinton. Siç është shprehur presidenti Bush, ”Al-Qaida lidhet me terrorin, ashtu siç lidhet mafia me krimin. Por qëllimi i saj nuk është grumbullimi i parave. Qëllimi i kësaj organizate është ribërja e botës dhe imponimi i besimit të saj radikal ndaj njerëzve kudo qofshin.”

Sulmi terrorist i 11 shtatorit nuk ishte vetëm një sulm kundër amerikanëve, por edhe kundër civilizimit. Ai duhet të marrë kundërpërgjigje.

XS
SM
MD
LG