Lidhje

Kalendari Historik 27 shtator - 2001-09-27


Më 27 shtator 1963, një anëtar i një organizate kriminale dëshmoi para Senatit amerikan lidhur me krimin e organizuar në Shtetet e Bashkuara duke shkelur premtimin për ta mbajtur çështjen në heshtje. Joseph Valachi i dënuar për vrasje, dha një përshkrim të hollësishëm të organizatës ”Cosa Nostra” - një tjetër emër për organizatën kriminale, që shpeshherë njihej edhe me emrin Mafia. Valachi e informoi Komitetin Hetimor të Senatit lidhur me udhëheqësit dhe strukturën e organizatës. Ai tha se çdo familje që bën pjesë në Cosa Nostra, kishte në krye një boss, apo një ”kapo”, i cili komandonte një ushtri kriminelësh të përbërë nga deri në 450 oficerë dhe ushtarë. Ai tha se familjet, të cilat drejtonin krimin në pothuajse çdo qytet të madh amerikan, jepnin llogari para ”bosit të bosave”. Valachi dëshmoi se bosi në atë kohë ishte Vito Genovese, i cili po kryente dënimin me 15 vjet burg për tregti droge. Valachi kishte qenë shoku i tij i qelisë në burgun federal të Atlantës. Pas shfaqjes në publik të Valachit, Departamenti i Drejtësisë zbuloi se organizata kriminale kishte ofruar 100 mijë dollarë shpërblim për cilindo që e vriste atë.

Më 27 shtator 1964, Komisioni Warren, i cili merrej me hetimet për vrasjen e presidentit John F. Kennedy, nxori raportin përfundimtar për vrasjen. Presidenti Lyndon Johnson i kishte kërkuar kryeprokuroit Earl Warren të vihej në krye të jurisë së përbërë nga 7 amerikanë të njohur dhe të besuar. Komisioni ishte caktuar për të hetuar vrasjen e presidentit në nëntor të vitit 1963, si dhe vrasjen e personit kryesor të dyshuar, Lee Harvey Oswald. Presidenti Johnson e caktoi zotin Warren në krye të komisionit pas pikëpyetjeve që kishin lindur lidhur me thellësinë e hetimeve dhe me pjesmarrjen e mundëshme të Oswaldit në komplotin për vrasjen presidentit Kennedy. Raporti prej 300 mijë fjalësh i Komisionit Warren arriti në përfundimin se nuk bëhej fjalë për komplot, se Oswaldi kishte vepruar vetëm kur shtiu dhe vrau presidentin Kennedy në Dallas të Teksasit më 2 nëntor të vitit 1963 dhe se Jack Ruby, personi që vrau Oswaldin kishte vepruar me kokën e tij kur e vrau Oswaldin dy ditë më vonë, para ndërtesës së policisë së qytetit.

XS
SM
MD
LG