Lidhje

Kush ishin terroristët - 2001-09-30


Sipas njoftimeve të shtypit, personat që kryen sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara u përgatitën për misionin e tyre vetvrasës gjatë një periudhe prej 18 muajsh.

Gazeta Washington Post thotë se të 19 personat banonin në apartamente të përbashkëta, frekuentonin të njëjtët bare, merrnin së bashku mësime fluturimi dhe përdornin të njëjtat karta krediti për të blerë bileta avioni. Sipas gazetës, personat në fjalë mbanin kontakte shumë më të ngushta me njëri-tjetrin se sa mendohej më parë dhe vepronin si një grup i vetëm.

Njoftimet thonë gjithashtu se shërbimi gjerman i zbulimit u ka dhënë Shteteve të Bashkuara informacione me vlerë rreth celulave të mundëshme terroriste në Hamburg dhe qytete të tjerë, ku mund të jetë hartuar komploti për sulmet e 11 shtatorit.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se planifikimi dhe financimi i këtyre sulmeve ka filluar vite më parë në Gjermani, Angli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Njoftohet se hetuesit kanë arritur në përfundimin se katër nga rrëmbyesit janë stërvitur në Afganistan, në kampet e al-Qaidas të drejtuara nga Osama bin Ladeni, i cili akuzohet se ka luajtur rol kryesor në sulmet e 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG