Lidhje

Arrijnë ndihmat e para ushqimore në Kabul - 2001-10-01


Zyrtarë të OKB-së thonë se në kryeqytetin Kabul të Afganistanit mbërriti ngarkesa e parë me ndihma humanitare, pas sulmit terrorist të 11 shtatorit. Zëdhënësi i Programit Botëror të Ushqimit, Khaled Mansour tha se të paktën 6 kamionë të ngarkuar me më tepër se 200 tonë grurë mbërritën sot pa probleme në Kabul.

Zoti Mansour tha se kamionët me ndihma kaluan pa vështirësi nga Pakistani fqinj dhe se Kombet e Bashkuara kanë në plan të dërgojnë më tepër ndihma ushqimore në Afganistan. Ndihmat ushqimore për Afganistanin u ndërprenë më 12 shtator, një ditë pas sulmit terrorist në Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe Pentagon.

Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin i tha qeverisë së tij të shqyrtojë çështjen e ndihmave ndaj Afganistanit. Nuk dihet me siguri se kur kabineti i qeverisë ruse do të diskutojë në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, shefi i drejtësisë së qeverisë taleban të Afganistanit, Noor Mohammad Saqip tha se ndaj 8 punonjësve perëndimorë të ndihmave, ndaj të cilëve ka filluar procesi gjyqësor nën akuzat për predikimin e krishtërimit në Afganistan, do të zhvillohet një gjykim i drejtë dhe se kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për një sulm ndaj vendit të tij nuk do të ndikojnë në vendimin e gjyqit.

Gjyqi ndaj punojnësve perëndimorë të ndihmave rifilloi dje në Kabul, pas ndërprerjes për shkak të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG