Lidhje

SHBA mike e myslimanëve - 2001-10-02


Usama Bin Laden, udhëheqësi terrorist përgjegjës për vrasjen e mijëra civilëve, duke përfshirë edhe myslimanë, nga Afrika deri në Shtetet e Bashkuara, po u bën thirrje myslimanëve që të vrasin amerikanë dhe hebrenj. Natyrisht që Bin Laden kërkon që myslimanët e tjerë të kryejnë vrasjet dhe të vrasin veten, ndërkohë që ai dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë fshihen me ndihmën e regjimit taleban në Afganistan. Për të nxitur disa myslimanë që të shkelin mësimet më themelore të islamizmit, Bin Laden ka shpifur një numër gënjeshtrash të pafund. Një prej këtyre gënjeshtrave më të pabesueshme është se Shtetet e Bashkuara janë armik i popujve myslimanë.

Populli i Afganistanit e mban mënd fare mirë që ishin Shtetet e Bashkuara ato që e ndihmuan atë pas pushtimit të vendit të tyre nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1979. Shtetet e Bashkuara dhanë rreth 3 miliardë dollarë në ndihma ushtarake dhe ekonomike për popullin afgan dhe forcat e tij të qëndresës. Që prej tërheqjes së forcave sovjetike më 1989, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar qindra milionë dollarë në ndihma humanitare për Afganistanin. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar më shumë ndihma për Afganistanin se çdo vend tjetër në botë. Vetëm vitin e kaluar Amerika dhuroi për Afganistanin më shumë se 100 milion dollarë.

Kuvajti, një vend me popullsi myslimane, u pushtua nga forcat e diktatorit irakian Sadam Husein në vitin 1990. Populli i Kuvajtit u shtyp në mënyrë brutale nga pushtuesit irakianë deri sa ata u çliruan nga koalicioni ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë asaj lufte më shumë se 700 amerikanë u vranë ose u plagosën.

Somalia, një vend me popullsi thuajse krejtësisht myslimane, u përfshi nga kaosi në vitin 1991, si rezultat i luftës civile dhe përmbysjes së qeverisë së Siad Barre. Mijëra njerëz ishin në rrezik të vdisnin nga urija deri sa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ndërhynë me forca ushtarake për të siguruar që operacionet e ndihmave humanitare të shpërndanin ushqime dhe ndihma të tjera për ata njerëz që kishin më shumë nevojë. Tetë amerikanë humbën jetën në një betejë me somalezë të armatosur, vetëm e vetëm që të ndihmonin një popull mysliman të dërmuar.

Kur sunduesi autoritar i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviçi, ushtroi pa përmbajtje terror ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, kryesisht myslimane, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s u përgjigjën me sulme ajrore, që kishin në shënjestër regjimin e Millosheviçit -- ky regjim më në fund u përmbys. Herë pas here, Shtetet e Bashkuara kanë provuar se janë miq të myslimanëve dhe të të gjithë popujve që bien viktima të agresionit, persekutimit dhe terrorizmit. Kur populli i një besimi fetar sulmohet nga terroristët, popujt e të gjitha besimeve fetare kërcënohen. Kjo është arsyeja që myslimanët në mbarë botën mbështesin Shtetet e Bashkuara në luftën e tyre kundër Usama Bin Ladenit dhe përkrahësve të tij terroristë.

XS
SM
MD
LG