Lidhje

Përvjetori i parë i revolucionit demokratik në Jugosllavi - 2001-10-05


Shumica e folësve nga organizatat jo-qeveritare me qendër në Washington i përkrahën përparimet e bëra nga reformatorët demokratë të Beogradit. Ata përshëndetën autoritetet e reja për veprimin e tyre kurajoz, kur ekstraduan në muajin qershor në Hagë zotin Millosheviç, i cili do të nxirret në gjyq nën akuzat për krime lufte.

Por, ndërkohë që u lavdëruan hapat e rëndësishëm drejt rindërtimit të një shoqërie të korruptuar dhe të përfshirë nga krimi gjatë më shumë se 10 vjetëve të sundimit të Millosheviçit, në konferencë u shprehën disa kritika. Një përfaqësues i Grupit të Krizave Ndërkombëtare me qendër në Bruksel, u shpreh se presidentit jugosllav, Vojisllav Koshtinica, duket se synon të ruajë elementë nacionaliste të regjimit të Millosheviçit. Grupi i krizave kërkon që Beogradi t’i japë fund përkrahjes financiare për ushtrinë e Republikës Serbe të Bosnjës dhe të shkarkojë oficerët e kohës së Millosheviçi që vazhdojnë të komandojnë ushtrinë jugosllave.

Obrad Kesiç i Grupit Farmaceutik ICN e mbrojti zotin Koshtunica si një politikan i ndershëm që synon të ndërtojë shtetin ligjor. Zoti Kesiç, kompania e të cili është mbërthyer në një betejë ligjore me qeverinë serbe, u bëri thirrje udhëheqësve të Beogradit që të bashkëpunojnë për çështjen e pavarësisë së Malit të Zi. Ai tha se Mali i Zi duhet të zhvillojë referendumin për pavarësi sa më shpejt që të jetë e mundur. Zoti Kesiç tha se në Sërbi nevojitet mbajtja e zgjedhjeve të reja për të zgjidhur tensionet në rritje në gjirin e koalicionit në pushtet me 18 parti, Opozita Demokratike e Sërbisë.

John Scalan, ish-ambasador amerikan në Jugosllavi nga 1985-a deri më 1989, tha se mosmarrëveshja e panevojshme me Kompaninë farmaceutike ICN lidhur me pronësinë e saj, po i shkurajon investimet e nevojshme nga jashtë. Zoti Scalan tha se probleme të tjera të pazgjidhura pengojnë investimet. “A do të zbatohen praktika të një shteti juridik për trajtimin e investitorëve të huaj? A do të jenë gjykatat të lira e të pavarura? Deri tani ato nuk kanë qenë të tilla. Në gjykata ka shumë zyrtarë të kohës së Millsosheviçit. Prandaj jam i zhgënjyer. Mendoj se shumë më tepër duhej të ishte arritur,” tha ish-ambasadori amerikan në jugosllavi.

Zoti Scalan, konsulent biznesi, thotë se autoriteteve të Beogradit u duhet të tërheqin 1 miliard dollarë investime në vit. Deri tani, thotë ai, janë tërhequr vetëm 10 milionë.

Folës të tjerë e lavdëruan Beogradin se ka arritur të përmirësojë marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. Autoritetet e reja, tha njëri prej folësve, kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me Naton për të zgjidhur krizën e sigurimit në Luginën e Preshevës, ku kryengritësit shqiptarë patën gjetur strehim në ish-zonën e ndërmjetme përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG