Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbi komentet e bin Ladenit - 2001-10-08


Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë komentet që terroristi Osama bin Laden i shprehu në një mesazh anti-amerikan të regjistruar në video-kasetë. Regjistrimi u transmetua të dielën nga një rrjet i pavarur televiziv me qendër në Katar. Në video-kasetë i dyshuari kryesor për aktet terroriste të 11 shtatorit sulmon ashpër Shtetet e Bashkuara.

Osama bin Laden thotë se Amerikën e goditi Zoti ... dhe është mbërthyer frika. Ai betohet se Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin siguri derisa palestinezët të jetojnë në paqe dhe forcat e huaja të largohen nga Arabia Saudite, ku ndodhet objektet më të shenjta të fesë islame.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer u tha gazetarëve se duket që video-kaseta ishte bërë para sulmeve që u ndërmorrën gjatë natës ndaj Afganistanit, pasi Osama bin Ladeni është regjistruar ditën.

Zoti Fleischer tha se, si bin Ladeni, ashtu edhe sundimtarët talebanë të Afganistanit kanë bërë komente që bien në kundërshtim me realitetin. Ai tha se video-kaseta nuk bën gjë tjetër, veçse thekson nevojën për një fushatë globale kundër terrorizmit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se fjalët e Osama bin Ladenit janë më pak të rëndësishme se aktet e tij. Ari Fleischer tha se bin Ladeni udhëhoqi sulmet e ndërmarra ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Amerika po kërkon drejtësi në shumë fronte.

XS
SM
MD
LG