Lidhje

Vazhdojnë goditjet në Afganistan - 2001-10-08


Zjarri sporadik kundër ajror përfshiu qiellin mbi Kabul, ku aeroplanët amerikanë luftarakë bodhën sot bomba në afërsi të një baze ushtarake jo shumë larg aeroportit. Njerëzit në aeroport u përpoqën të iknin me taksi dhe biçikleta. Këto aeroplanë ishin të parët që sulmuan Kabulin që prej sulmeve gjatë natës, që u cilësuan si më të rëndat deri tani në kuadër të fushatës amerikane kundër Talebanit dhe rrjetit Al-Qaida të terroristit Osama bin Laden.

Ndërkohë, ambasadori i Talebanit në Pakistan tha se njoftohet për rreth 100 të vrarë nga sulmet ajrore të ditëve të fundit në mbarë Afganistanin dhe se numri i të vdekurve po rritet dita-ditës. Në Washington, një zëdhënës i Pentagonit tha se nuk është e mundur që të vërtetohet n se janë vrarë civilë. Ai shtoi se vetëm pajisjet ushtarake ishin në shënjestër të sulmeve ajrore.

I dërguari i qeverisë talebane tha se lufta e vërtetë do të fillojë kur amerikanët të futen në Afganistan, me sa duket duke iu referuar njoftimeve se trupat amerikane mund të jenë në përgatitje për sulme tokësore për shkatërrimin e celulave terroriste. Ambasadori tha se bin Ladeni ende nuk lejohet të përdorë territorin afgan për të ndërmarrë sulme kundër ndonjë vendi tjetër, por tani i njihet e drejta për të folur publikisht. Më parë, një rrjet televiziv amerikan transmetoi pamje të banorëve të qytetit të Kandaharit duke u larguar nga qyteti pas sulmeve ajrore ndaj bazave të Talebanit. Njoftohet se avionët amerikanë kanë bombarduar edhe një bazë taleban në Shamshaad, rreth 4 kilometra nga kufiri me Pakistanin.

XS
SM
MD
LG