Lidhje

Bush hap zyrën për sigurimin e vendit - 2001-10-09


Presidenti Bush kryesoi në Shtëpinë e Bardhë ceremoninë e betimit të njeriut që ai ka zgjedhur për të drejtuar Zyrën e re të Sigurimit të Vendit, ish guvernatorin e Pensilvanisë, Tom Ridge. Presidenti tha se shpreson që zyra e re të zbutë shqetësimet e amerikanëve lidhur me sulme të mundshme hakmarrëse tani që forcat amerikane dhe britanike kanë filluar të godasin ato që zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se janë kampe terroriste si dhe instalime ushtarake të Talibanit.

Presidenti Bush deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë një luftë të bashkuar dhe të vendosur kundër terrorizmit. Ai i përshkroi kështu objektivat e Zyrës për Sigurimin e Vendit. Së pari, të marrë masa sa më të forta mbrojtëse kundër terrorizmit duke grumbulluar dhe shfrytëzuar informacionin maksimal të kundërzbulimit, sepse në luftën kundër terrorit, dija është forcë. Të forcojë dhe ndihmojë për të mbrojtur sistemet e transportit, sistemet e ushqimit dhe të ujit si dhe infrastrukturat nevralgjike, duke i bërë ato më pak të prekshme nga sulmet. T’i kundërpërgjigjet me efektivitet veprimeve terroriste nëse ato ndodhin. Kjo zyrë do të bashkërendojë ndihmën federale me përpjekjet në shkallë shtetesh. Amerika do të jetë e përgatitur, tha presidenti Bush. Nga ana e tij, zoti Ridge e pranoi se detyra për të bashkëpunuar me shumë agjenci njëkohësisht do të jetë e vështirë. Ai bëri thirrje për bashkëpunim nga të gjitha nivelet e qeverisë. Ne duhet të hapim linjat e komunikimit dhe të mbështetjes si kurrë ndonjëherë, midis agjencive dhe departamenteve, midis enteve federale, shtetërore dhe lokale si dhe midis sektorëve publikë dhe privatë. Ne duhet ta përqendrojmë vemendjen te detyra që na jepet. I vetmi shqetësim i yni duhet të jetë sigurimi i vendit, duke lënë mënjanë egon e agjencive të veçanta për të cilat punojmë, tha zoti Ridge. Ai deklaroi gjithashtu se ndërsa Shtetet e Bashkuara marrin masa kundër terrorizmit, liritë civile që gëzojnë amerikanët do të mbrohen. Terroristët, tha ai, nuk do t’ua rrëmbejnë dot amerikanëve mënyrën e tyre të jetesës.

XS
SM
MD
LG