Lidhje

Rumsfeld: fitorja nuk do të jetë e shpejtë - 2001-10-09


Ndërkohë që forcat amerikane goditën për të dytë natë radhazi objektivat ushtarake të Talebanit dhe kampet terroriste të Al-Qaidës në Afganistan, sekretari i mbrojtjes, Donald Rumsfeld minimizoi shpresat për një fitore të shpejtë. Korrespondenti ynë Alex Belida na ka dërguar këtë material nga Pentagoni. Zoti Rumsfeld nuk dëshiroi të shprehej nëse do të hyjnë apo jo në masë forcat amerikane në Afganistan për të çuar në fund luftën kundër terroristëve të Al-Qaidës dhe mbështetësve të tyre talebanë.

Por sekretari i mbrojtjes u tha gazetarëve në Pentagon se vetëm goditjet ajrore nuk do të mjaftojnë për ta çuar misionin deri në fund. Mendoj se pak shanse ka që goditjet ajrore t’i shkatërrojnë talebanët. Ata kanë shumë pak objektiva që mund të quhen me vlerë dhe që mund të asgjësohen nga ajri, tha sekretari i mbrojtjes. Zoti Rumsfeld tha se sulmet ajrore janë vetëm një pjesë e vogël e përpjekjeve të aleatëve për shkatërrimin e rrjeteve terroriste. Ai theksoi se kjo fushatë me sa duket do të vazhdojë me vite dhe jo thjesht me javë e me muaj.

Sekretari amerikan i mbrojtjes e pranon se në këtë fushatë do të ketë edhe operacione ushtarake të fshehta krahas goditjeve të dukshme ajore. Por ai nuk pranoi të japë hollësi të tjera duke iu referuar nevojës për ruajtjen e sekretit të operacioneve, me qëllim që të ruhet jeta e amerikanëve që marrin pjesë në to.

Zoti Rumsfeld thotë se pak gjasa ka që Talebanët të bëjnë lëshime të minutës së fundit për të evituar sulmet e mëtejshme.

Por ai la të kuptohet se administrata e presidentit Bush beson se ka ardhur koha që, sidoqoftë, Talebani të largohet nga pushteti. Nuk ka dyshim se grupi i njerëzve të Talebanit që janë të lidhur ngushtë me al-Qaidën, si Mullah Omar dhe ndihmësit e tij apo krejt struktura e tyre, janë të dëmshëm dhe të rrezikshëm për botën dhe se Afghanistani do të jetonte shumë më mirë nëse ata nuk do të ishin fare në pushtet, tha zoti Rumsfeld. Sekretari i mbrojtjes theksoi përsëri, përveç misioneve ushtarake, edhe nevojën e vazhdimit të masave diplomatike, ekonomike, financiare e të antikrimit kundër grupeve terroriste dhe mbështetësve të tyre.

XS
SM
MD
LG