Lidhje

SHBA mbeten të vendosura në misionin e tyre në Kosovë - 2001-10-11


Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, ambasadori John Menzies tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara në misionin e tyre në Kosovë, pavarësisht nga situata e re e krijuar pas sulmeve terroriste në Amerikë dhe zhvillimeve të fundit në Afganistan. Ndërkaq ai hodhi poshtë pohimet për ekzistimin e elemeneteve të terrorizmit ndërkombëtar në Kosovë.

Në një intervistë ekskluzive dhënë “Zërit të Amerikës”, zoti Menzies tha se SHBA nuk do të tërhiqen nga politika e tyre në Ballkan dhe në Kosovë, por do të vazhdojnë të veprojnë siç kanë vepruar gjatë disa viteve të fundit. “Ne mbetemi tërësisht të përkushtuar në politikën e përcaktuar nga administrata. Vendosmëria jonë është edhe më e qëndrueshme dhe ne angazhohemi që misioni në Kosovë të ketë sukses dhe jemi të bindur se ai do të jetë i tillë” tha ambasadori.

Zoti Menizes nënvizoi poashtu se SHBA janë të përkushtuara për të mbajtur praninë ushtarake në Kosovë dhe në përgjithësi në rajon, ndërsa duke folur për paralajmërimet se forcat kanadeze do të mund të zëvendësonin trupat amerikane, ai theksoi se vende të ndryshme kanë ofruar ndihmë për SHBA-në në forma të ndryshme, mirëpo amerikanët vazhdojnë punën me përkushtim të njëjtë. Ambasadori Menzies tha se qytetarët e Kosovës kanë shprehur një mbështetje të jashtëzakonshme pas sulmeve terroriste në New York dhe Washington. Këto ishin sulme kundër gjithë botës dhe Kosova e ka ndjerë njësoj këtë sulm. Mirëpo ai hodhi poshtë pohimet e qarqeve të caktuara politike në rajon për siç thuhet ekzistimin e elementeve të terrorizmit ndërkombëtar në Kosovë. Duke tërhequr vërejtjen në qëndrimin e qytetarëve të këtushëm ai tha se Kosova nuk është mjedis i dyshimtë për veprime të tilla. “Në një klimë të tillë në nuk e shohim këtë si tokë të plleshme për idetë helmuese që mund të qojnë në sulme të tilla”, tha zoti Menzies duke shtuar se nuk ka informacione për aktivitete të tilla në këtë vend.

Zoti Menzies bëri thirrje ndërkaq që zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë të jenë të lira, të drejta dhe gjithpërfshirëse. Kosova tha ai po përballet me mundësinë që nuk e ka pasur kurrë më parë, që të ketë zgjedhje demokratike. Duke shfaqur shpresën se të gjithë do të marrin pjesë në këto zgjedhje ai tha se SHBA duan që të gjithë njerëzit të marrin pjesë në procesin e demokratizimit të githë rajonit.

Bashkësia ndërkombëtare po punon për ndërtimin e institucioneve demokratike në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai me këtë rast u bëri thirrje edhe pjestarëve të komunitetit serb që të dalin në qendrat e votimit dhe të mos u vënë vëshin zërave që u thërrasin kundër tyre. Qytetarët e Kosovës tha zoti Menzies duhet ta kenë të qartë se gjeografia e tyre është e vecantë. “Ata jetojnë në këtë hapësirë gjeografike dhe njerëzit që u thonë atyre të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos shikojnë përpara duhet t’i injorojnë, tha zoti Menzies, duke shtuar se ata duhet ta kenë të qartë se kjo është rruga dhe e ardhmja e tyre.

Protestat e paralajemruara nga pjestarët e komunitetit serb në veriun e Kosovës vijnë e shkojnë por njerzit duhet të kuptojnë se duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Shefi i zyrës amerikane ndërkaq pohoi se janë duke u bërë përpjekje për të sqaruar zhvillimet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë ku kanë ndodhur ndryshime që kanë shkaktuar tensione në disa fshatra shqiptare. Mirëpo ai tha se SHBA nuk ka pasur ndonjë rol në këtë cështje, prandaj edhe është në kërkim të shpjegimeve. Mirëpo ai nuk deshi të komentojë nëse marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Shkupit rreth vijës kufitare do të njihet apo jo ndërkombëtarisht.

XS
SM
MD
LG