Lidhje

Java e dytë e goditjeve në Afganistan - 2001-10-14


Aeroplanët luftarakë kryen një seri të re sulmesh gjatë ditës mbi objekte në afërsi të kryeqytetit Kabul dhe në qytetin lindor të Jalalabadit.

Sulmet në afërsi të Kabulit thuhet të jenë ndër më të rëndat gjatë ditësqë prej fillimit të fushatës 9 ditë më parë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kundër objekteve të dyshuara terroriste dhe pozicioneve talebane.

Shtëllunga të mëdha tymi janë parë në zonat përreth aeroportit dhe një baze ushtarake pranë Kabulit. Objekte të tjera u goditën gjithashtu në këtë zonë gjatë disa sulmeve që filluan gjatë natës së mbrëmshme.

Një numër shpërthimesh u dëgjuan në afërsi të Jalalabadit. Artileria talebane u përgjigj me zjarr kundër-ajror në të dy qytetet.

Një zyrtar taleban tha se 12 civilë u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën në sulmet e sotme në kryeqytetin e provincës veriperendimore Badghis. Njoftimi mbi viktimat nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar disa herë se kanë si objektiva vetëm bazat e dyshuara terroriste dhe pozicionet talebane, megjithëse ushtria amerikane pranoi se javën e kaluar një raketë e tele-komanduar devijoi objektivin e saj dhe ra në një lagje të banuar të Kabulit. Dëshmitarët thonë se 4 njerëz u vranë nga kjo raketë.

XS
SM
MD
LG