Lidhje

Terroristët më të kërkuar - 2001-10-15


Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po zhvillojnë luftë kundër terrrorizmit në të gjitha frontet. Përveç fushatës ushtarake aktuale në Afganistan, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet për të ndjekur terroristët që fshihen në vende të ndryshme në mbarë botën. Më 11 shtator, presidenti Bush deklaroi se lista e terroristëve më të kërkuar përmban 22 emra. Lista përfshin emrat e disa prej atyre që kanë pasur lidhje me sulmet e 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, si dhe personave përgjegjës për akte të mëparshme terroriste.

Këta individë, tha presidenti Bush, “nuk përfaqësojnë të gjithë veprimtarinë terroriste në botë, por ata janë ndër personat më të rrezikshëm: udhëheqësit si dhe përkrahësit kryesorë, planifikuesit dhe ideatorët. Ata duhen gjetur; ata do të ndalohen si dhe do të ndëshkohen.”

Në krye të listës është Osama bin Laden, i cili drejton rrjetin terrorist Al-Qaida që është përgjegjës për sulmet vetvrasëse të 11 shtatorit si dhe akte të mëparshme terroriste si shpërthimin e vitit 1998 në ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Kenia dhe Tanzani. Mbi dhjetë persona të tjerë janë përfshirë në listë për rolin e tyre në shpërthimet në ambasada, përfshirë edhe pasuesit e bin Ladenit, Muhamad Atef dhe Ayman al-Zawahiri.

Terroristët e tjerë kërkohen lidhur me shpërthimin e vitit 1996 në kullat Khobar në Dhahran të Arabisë Saudite, nga i cili gjetën vdekjen 19 anëtarë të forcave ajrore amerikane. Këtu përfshihen Ahmed Ibrahim al-Mughassil dhe Abdelkarim Hussein Mohamed al-Nasser, të dy udhëheqës të grupit terrorist saudit Hezbollah.

Në janar 1995, terroristët po përgatisnin një komplot për të hedhur në erë një numër avionësh amerikanë që fluturonin në drejtim të Azi-Paqësorit. Ndër personat që kërkohen lidhur me këtë komplot është Khalid Shaikh Mohamed. Shpërthimi i shkurtit të vitit 1993 në një parkim të Qendrës Botërore të Tregëtisë la pesë të vdekur. Abdul Rahman Yasin është një ndër personat e kërkuar lidhur me këtë krim.

Në qershor 1985, një avion i një shoqërie ajrore amerikane u rrëmbye kur po fluturonte nga Athina në Romë. Autorët e rrëmbimit vranë në mënyrë brutale njërin prej pasagjerëve, një zhytës të marinës amerikane. Për këtë krim vazhdojnë kërkimet për Hasan Izz-al-Din, Al Atwa dhe Imad Fayez Mugniyah, të cilët kanë lidhje me grupin terrorist Hezbollah.

Siç e ka bërë të qartë presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara janë në luftë jo vetëm me këta persona si dhe individë të tjerë, por edhe me “rrjetet dhe grupet, njerëzit që i përkrahin, ata që përpiqen t’i strehojnë, si dhe personat që i financojnë ata. Tani, tha presidenti, ka ardhur koha për të caktuar vijën e luftës kundër së keqes. Dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të bëjnë pikërisht këtë.”

XS
SM
MD
LG