Lidhje

Lufta për rrjetin e financave të terrorismit - 2001-10-15


Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar po zhvillohet në shumë drejtime. Përveç fushatës ushtarake në Afganistan, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po godasin gjithashtu kundër financave të terroristëve dhe të mbështetësve të tyre.

Presidenti Bush ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurive të 27 grupeve terroriste, udhëheqësve terroristë të veçantë dhe të disa shoqatave të ashtuquajturave bamirëse që shërbejnë si grupe terroriste të vijës së parë. Tani institucionet financiare amerikane janë udhëzuar të bllokojnë llogaritë e 33 individëve të tjerë dhe gjashtë grupeve të kërkuara për përfshirje ose mbështetje të terrorizmit.

Në mes të individëve të shtuar në këtë listë janë 22 personat e identifikuar si “më të kërkuarit” nga Byroja Federale e Hetimeve. Përveç Osama bin Ladenit, lista përfshin 12 terroristë të implikuar me grupin e tij al-Qaida. Dy të tjerë janë udhëheqës të grupit Hezbollah saudit përgjegjës për shpërthimin e qershorit të vitit 1996 në Dhahran nga i cili u vranë 19 amerikanë të personelit të forcave ajrore. Ndërsa tre janë anëtarë të grupit terrorist Hezbollah libanez.

Gjithashtu në listë janë edhe tre biznese dhe dy shoqata të ashtuquajtura bamirëse që furnizojnë terroristët me para. Një grup tjetër terrorist i shtuar së fundi është Ushtria e Muhammedit. Ky është një grup pro-Taleban me bazë në Pakistan por që vepron kryesisht në Kashmir.

Tre bizneset e shtuar në listë veprojnë jashtë Yemenit. Dyqani i ëmbëlsirave Al-Hamati, dhe ai i mjaltit Al-Nur Honey Press Shops që të dy janë pronë e Muhammad Hamdi Sadiq al-Ahdal. Ai është akuzuar nga Arabia Saudite për organizimin e akteve terroriste. Al-Shifa Honey Press zotërohet nga Mahmud Abu al-Fatuh Muhammad. Ai është i lidhur me Institutin Kulturor Islamik në Milano i cili ka ndihmuar al-Qaidën me armë, luftëtarë dhe para.

Dy shoqëritë e ashtuquajtura bamirëse të shtuara në listë janë Shoqëria për Bashkëpunimin Islamik dhe Liga Besimi. Të dyja kanë lidhje të ngushta me Osama bin Ladenin.

Shtetet e Bashkuara kanë një mbështetje të gjerë në përpjekjet e tyre për të luftuar financat e terrorizmit. Më shumë se 100 vende kanë premtuar të bashkohen në këto përpjekje dhe më shumë se 60 kanë urdhëruar tashmë bllokimim e llogarive bankare të terroristëve. Siç tha edhe Sekretari i Thesarit Paul O’Neill, Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë “një koalicion ndërkombëtar për të shkatërruar rrjetin e financave të terrorizmit”.

XS
SM
MD
LG