Lidhje

Intervistë me nën-drejtorin për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit - 2001-10-17


EB: Zoti Benton, kohët e fundit ju vizituat Shqipërinë, ku keni zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë si dhe me përfaqësues të forcave të ndryshme politike. Si do ta cilësonit gjendjen politike atje?

JB:Siç e dini, unë nuk kisha qenë në Shqipëri që nga viti 1993, prandaj pata një rast të mirë të shikoj vendin. Dhe ndryshimet janë të shumta. Më bëri përshtypje atmosfera e përgjithshme, e cila ishte ishte mjaft e qetë. U zhgënjeva me situatën e krijuar në të cilën Partia Demokratike nuk merr pjesë në parlament. Por jam i kënaqur që pashë se janë shënuar përparime. Duket se zgjedhjet janë bërë një ngjarje normale, sepse në vitin 1993 ato ishin diçka e re.

EB: Zgjedhjet parlamentare shikoheshin si një provë e rendësishme për përparimin e demokracisë në Shqipëri. Sipas raportit përfundimtar të ODHIR-it këto zgjedhje nuk u zhvilluan në përputhej të plotë me standartet ndërkombëtare dhe u karakterizuan nga parregullësi serioze. Çfarë pasojash do të ketë kjo për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri?

JB:E kam lexuar raportin që sapo është publikuar. Qendrimi i qeverisë amerikane është se ne jemi dakord me raportin. Disa nga kritikat në raport janë mjaft të forta dhe disa nga rekomandimet kërkojnë që ligji të përpunohet më mirë dhe po kështu edhe sistemi i apelimit. Mendoj se nëse këto rekomandime do të zbatohen, kjo do të ishte diçka shumë pozitive. Raporti gjithashtu ve në dukje se votimet ishin një hap përpara në procesin e gjatë zgjedhor megjithë problemet. Prandaj mendoj se kjo është një shenjë pozitive. Një nga çështjet kryesore për komunitetin ndërkombëtar tani do të ishte që të bënte një tërheqje, sepse do të ishte me rëndësi për normalizimin e procesit demokratik në Shqipëri që këto gjëra të vihen në vijë nga një sistem ligjesh dhe rregullash. Ne natyrisht që do ta inkurajojmë qeverinë e tanishme si dhe të gjitha strukturat për të vënë në zbatim këto rekomandime si dhe ato të OSBE-së si institucion.

EB: Partia Demokratike nuk ka pranuar të marrë pjesë në parlamentin e ri. kështu që aktualisht në parlament mungon një opozitë efektive. Si e shikojnë SHBA bojkotimin e parlamentit nga PD dhe aleatët e saj.

JB:Partia Demokratike duhet të vendosë vetë nëse do t’i pranojë apo jo rezultatet e zgjedhjeve. Ne besojmë se fjala e fundit lidhur me këto zgjedhje, siç e thamë, është se ato nuk ishin të përsosura dhe jo në përputhje me standardet ndërkombëtare që do të dëshironte të shihte OSBE-ja. Por OSBE-ja nuk pa ndonjë arësye që t’i quajë të pavlefshme këto zgjedhje. Duke marrë parasysh këtë, do të ishte e udhës që njerëzit e zgjedhur të Partisë Demokratike të zinin vendet e tyre në parlament. Shpresa jonë është se Dr. Berisha dhe Partia Demokratike do të veprojnë pikërisht kështu.

EB:Duke marrë parasysh luftën amerikane kundër terrorizmit dhe daljen në skenë të përparësive të reja në politikën e jashtme amerikane, a ka rrezik që SHBA të pakësojnë angazhimin e tyre në Shqipëri dhe në rajon në përgjithësi?

JB:Kjo është një pyetje me interes. Natyrisht përparësitë në Uashington kanë ndryshuar dhe po i rivlerësojmë të gjitha angazhimet tona në botë në aspektin ushtarak, dhe kjo përfshin edhe Ballkanin. Por politika jonë se në Ballkan hymë së bashku dhe do të dalim së bashku me aleatët ende mbetet e vlefshme, pra në rastin e Kosovës dhe Bosnjes, çdo ridislokim i mundshëm i forcave do të bëhet vetëm në kontekstin e konsultimeve me aleatët. Angazhimi ynë në pjesët e tjera të rajonit duke përfshirë Shqipërinë, mbetet po aq i fortë sa ka qenë. Shkalla e bashkëpunimit që po na ofrohet në aspektin e antiterrorizmit është mjaft i kënaqshëm dhe kjo është bërë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e marrëdhënieve tona dypalëshe.

XS
SM
MD
LG