Lidhje

Ndikimi i luftës tek fëmijët afganë - 2001-10-18


Populli i Afganistanit ka vuajtur mjaft nën sundimin shtypës taleban. Dhe një pjesë e mirë e këtyre vuajtjeve ka rënë mbi fëmijët. Gati gjysma e popullsisë së Afganistanit është nën moshën 14 vjeç. Një ndër tre fëmijë është jetim. Më shumë se gjysma vuajnë nga kequshqyerja. Sipas organizatës Mjekët pa Kufij, rreth 250 mijë fëmijë afganë vdesin çdo vit nga pasojat e kequshqyerjes. Një në katër fëmijë vdesin përpara se të mbushin moshën 5 vjeç, shumica prej sëmundjeve që mund të parandalohen, si fruthi dhe diarreja. Afganistani ka vdekshmërinë foshnjore më të lartë në botë.

Fëmijët afganë jetojnë nën rrezikun e vazhdueshëm të 7 milionë minave tokësore. Mijëra prej tyre janë gjymtuar apo vrarë. Sipas një studimi të UNICEF-it, 70 për qind e fëmijëve afganë kanë qenë të pranishëm në akte dhune, përfshirë edhe vrasjen e prindërve apo të të afërmve. Shumë prej tyre kanë pësuar trauma dhe presin të vdesin përpara se të arrijnë moshën e pjekurisë. Forcat talebane janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të këtij terroriri. Sipas organizatës Amnesty International, talebanët kanë marrë peng fëmijë në përpjekje për të detyruar baballarët e tyre të dorëzohen.

Talebanët i kanë bërë skajshmërisht të vështira kushtet për shkollimin e shumicës së djemve dhe krejt të pamundur për vajzat. Para se talebanët të vinin në pushtet, një përqindje e madhe e mësuesve ishin gra. Tani atyre u ndalohet të japin mësim.

Gratë dhe vajzat ecin gjithë frikë nëpër rrugë në zonat e kontrolluara nga talebanët. Ato bëhen objekt i rrahjeve brutale, nëse nuk vishen sipas kodeve të caktuara nga talebanët. Forcat talebane njoftohet se kanë rrëmbyer gra dhe vjaza dhe i kanë shitur në Pakistan e në shtetet e Gjirit Arabik. Djemtë afganë janë rekrutuar me forcë në radhët e forcave talebane.

Autoritetet talebane kanë ndaluar shumë prej kënaqësive fëminore, përfshirë argëtime të tilla, si balonat apo loja e shahut. Të gjitha veprimtaritë sportive për vajzat ndalohen. Lojra të thjeshta, si kukulla dhe imitacione të kafshëve janë gjithashtu të ndaluara. Në shumë raste, fëmijëve u hiqen edhe emrat, sepse autoritetet talebane i detyrojnë prindërit që t’u vënë atyre emra më islamikë.

Në ndihmë të shpëtimit të fëmijëve të Afganistanit, Shtetet e Bashkuara po hedhin nga ajri ushqime, ilaçe dhe sende të tjera të nevojshme. Kjo do të ndihmojë në frenimin për një kohë të shkurtër të krizës. Por fëmijët afganë kanë nevojë për shumë më tepër. Ata kanë nevojë që t’i jepet fund sundimit taleban.

XS
SM
MD
LG