Lidhje

Operacion në Afganistan - 2001-10-20


Njoftohet se forcat speciale amerikane kryen operacionin e parë tokësor në thellësi të Afganistanit, gjë që shënon një ndryshim në fushatën ushtarake pas dy javë goditjesh ajrore.

Njoftohet se mbi 100 trupa elitë, përfshirë forca speciale rangers nga aeroplanmbajtësja Kitty Hawk, morën pjesë në operacionin që u krye në Afganistanin jugor, ku është edhe qendra e Talebanit. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se operacioni zgjati disa orë dhe se të gjitha mjetet ajrore u kthyen në bazë. Ata nuk thanë nëse ka patur ose jo viktima.

Zyrtarët talebanë thanë se forcat e tyre u ndeshën dje me komandot amerikane pranë qytetit Kandahar dhe i detyruan ata të tërhiqen. Ata thanë gjithashtu se forcat taleban mund të kenë rrëzuar një helikopter amerikan.

Pentagoni nuk ka bërë komente mbi operacionin por njoftoi se dy ushtarë amerikanë humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri në Pakistanin fqinj, i cili i ka lejuar forcat amerikane të përdorin 3 baza të tyre ajrore për operacione mbështetëse, siç mund të ishin misionet e kërkim shpëtimit.

Në një deklaratë të bërë mbrëmë, Pentagoni e quajti rrëzimin e helikopterit një aksident.

Zyrtarët pakistanezë thanë se helikopteri u rrëzua pranë bazës ajrore të Dalbandinit, jo larg kufirit afgan.

Presidenti Bush mësoi për këtë incident në Shangai, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Paqësorit. Ai u shprehu ngushëllime familjeve të ushtarëve që humbën jetën, duke thënë se jeta e tyre nuk shkoi kot.

Ndërkohë, në veri të Kabulit dhe në Kandahar rifilluan mbrëmë goditjet ajrore amerikane kundër objektivave terroriste dhe atyre talebane. Sulmet ishin pezulluar përkohësisht për faljen e xhumasë.

XS
SM
MD
LG