Lidhje

Shpërthim në Maqedoni - 2001-10-23


Në fshatin Tearcë të Maqedonisë ndodhi të hënën mbrëma një shpërthim i cili dëmtoi një stacion policie si dhe zyrat e këshillit komunal. Shpërthimi ndodh pak orë pas rifillimit të patrullimeve të policisë në zonat që ishin nën kontrollin e luftëtarëve shqiptarë.

Sipas njoftimeve, shpërthimi dëmtoi rëndë çatinë e stacionit të policisë por nuk shkaktoi viktima.

Dje, nën mbikqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë, njësitë e policisë me përbërje të përzier etnike, filluan patrullimet në Tearcë dhe në katër zona të tjera të Maqedonisë veriore që më parë kontrolloheshin nga luftëtarët shqiptarë. Gjatë javës, njësitë policore do të rikthehen çdo ditë në këto fshatra, në kuadrin e një projekti pilot për krijimin e besimit.

Para shpërthimit, kryetari i bashkisë së Tearces, Llukman Elezi, tha se ishte tepër herët dhe se popullata nuk është e përgatitur për rikthimin e policisë.

Ndërkohë, në Shkup, një komision i parlamentit filloi formulimin e projekt-amendamendeve kushtetuese që synojnë shtimin e të drejtave për shqiptarët. Debati për amendamentet pritet të fillojë të mërkurën.

Marrëveshja e paqes e nënshkruar në Maqedoni në muajin gusht i dha fund kryengritjes 6-mujore të shqiptarëve që kërkonin nga qeveria më shumë të drejta.

XS
SM
MD
LG