Lidhje

Rumsfeld: Mbrojmë mënyrën tonë të jetesës - 2001-10-24


JM: Zoti Sekretar i Mbrojtjes, ju faleminderit që pranuat ftesën për tu intervistuar nga Zëri i Amerikës.

DR: Ju lutem.

JM: Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në javën e tretë të veprimeve ushtarake në Afganistan kundër rrjetit Al-Qaeda dhe mbështetësve të tyre talebanas. A mund të na jepni një vlerësim se si ka shkuar deri tabni fushata?

DR: Fushata po shkon afërsisht ashtu siç mund të merrej me mend. Më duket ka rëndësi që ta vendosim atë në një kontekst më të gjerë. Ky nuk është thjesht një aksion ushtarak. Ai është një aksion anti-terrorist dhe në fakt në të gjithë globin po bëhen arrestime. Deri tani, disa qindra njerëz janë arrestuar, ndaluar dhe marrë në pyetje. Ky është një aksion për grumbullimin e informacioneve të zbulimit, që, e ritheksoj, po zhvillohet në të gjithë globin. Ai përfshin gjithashtu ministritë e financave të vendeve të koalicionit, të cilat po bllokojnë llogaritë bankare të rrjeteve terroriste kudo në botë. Pra, aksioni ushtarak është vetëm një pjesë e kësaj. Dhe këtu hyjnë gjëra që mund të shihen me sy por edhe që nuk mund të shihen. Bombardimi i objektivave ushtarake në Afganistan pa dyshim që mund të shihet në televizion. Por nga ana tjetër, ka gjëra që po ndodhin në terren të cilat nuk mund të shihen.

JM: Po të flasim për gjërat që tani për tani mund të mos shihen, a jemi tani më pranë kapjes së Osama bin Ladenit se sa ishim 3 javë më parë kur filluan veprimet ushtarake?

DR: Nuk më duket se mund të flasësh për shkallën se sa i jemi afruar kësaj. Sepse dikë ose e ke kapur ose nuk e ke kapur. Në këtë rast ne nuk e kemi kapur.

JM: Por a i jemi afruar kapjes së tij?

DR: Nuk e kuptoj se çdo të thotë t’i afrohesh kësaj. Kjo mund të kuptohet vetëm pasi të jetë realizuar. Është nga ato gjëra që, po nuk ndodhi është e vështirë të thuhet. Nuk ka dyshim se ne kemi bërë përpjekje që t’ja vështirësojmë ekzistencën organizatës Al Qaeda dhe udhëheqjes talebane. Pra, i kemi detyruar ata të mos qendrojnë dot në një vend. Ata po detyrohen që t’i shikojnë me vemendje lëvizjet e tyre dhe të jenë të kujdesshëm. Qëllimi ynë është ta eliminojmë këtë rrjet terrorist dhe të mos i lejojmë ata të vrasin njerëz të pafajshëm. Ka rëndësi të themi se kjo luftë nuk drejtohet kundër popullit afgan dhe as kundër ndonjë feje, madje as edhe kundër ndonjë vendi. Populli afgan është trajtuar keq nga udhëheqja talebane dhe nga Al-Qaeda.

JM: A e duan Shtetet e Bashkuara bin Ladenin të vdekur, apo duan ta kapin? Cila do të preferohej?

DR: Qëllimi është të godasim terroristët dhe rrjetet terroriste si dhe ata që i strehojnë këto rrjete terroriste në të gjithë Shtetet e Bashkuara apo në botë. Al-Qaeda, si shembull i një rrjeti terrorist, ka 50 ose 60 celula në 50-60 vende. Pra është një problem i madh. Edhe nëse bin Ladeni nuk do të ekzistonte më nesër, problemi do të vazhdonjë të ekzistojë, pra edhe detyra jonë do të mbetet. Ai është një prej udhëheqësve. Në organizatën Al-Qaida ka shumë njerëz me pozita kyçe.

JM: Gjenerali Musharraf, presidenti i Pakistanit, ka lënë të kuptohet se ai do të dëshironte që veprimet ushtarake të paktën të pezulloheshin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, që fillon nga mesi i nëntorit. A do ta studionit ju një mundësi të tillë?

DR: Mendoj se ka rëndësi të jemi të ndjeshëm ndaj interesave dhe shqetësimeve të vendeve të ndryshme në rajon. Dhe, natyrisht, Pakistani ka mbajtur një qendrim jashtëzakonisht mbështetës dhe ndihmues në fushatën kundër terrorizmit. Nga ana tjetër, historia është plot me shembuj që tregojnë se gjatë ditëve të shenjta, duke përfshirë edhe Ramazanin, ka patur raste kur myslimanë kanë luftuar kundër myslimanëve ose kur myslimanët kanë luftuar kundër jo-myslimanëve. Dihet gjithashtu se, në shumë raste, luftrat e myslimanëve kanë filluar gjatë muajit të Ramazanit. Është shumë e qartë se Al-Qaida dhe talebanët nuk i ndalin veprimet e tyre gjat Ramazanit. Gjatë disa viteve të fundit, ata kanë vazhduar luftën kundër fiseve të ndryshme në rajon. Pra, më duket, se ne të gjithë duhet të jemi të ndjeshëm ndaj shqetësimeve të njerëzve. Nga njëra anë, ne duhet të na preokupojë fakti se këta terroristë janë të lirë, prandaj ata duhet të sprapsen dhe të ndalen. Çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj që ata janë ende të lirë vë në rrezik jo vetëm njerëzit në vendin tonë por edhe njerëzit kudo në botë. Detyra jonë është që t’i vemë në balancë këto rreziqe. Përshtypja ime personale është se ndalja e dorës së këtyre terroristëve përpara se ata të përdorin mjete edhe më të fuqishme kundër nesh, të cilat ata janë në gjendje t’i shtien në dorë, është një detyrë mjaft e rëndësishme prandaj ne duhet që, me sa të kemi mundësi, të mos heqim dorë.

JM: Ju përmendët viktimat. Pas operacionit të forcave speciale para pak ditësh dhe kur mbetet e hapur mundësia për operacione të tjera të forcave amerikane në terren, njerëzit në Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të bëhen nervozë për viktimat. Ju dhe zyrtarë të tjerë të administratës keni folur për faktin se fushata do të jetë e gjatë, pa kufij kohorë. A ju shqetëson fakti se nëse viktimat amerikane shtohen, mbështetja publike për fushatën mund të bjerë?

DR: Jo. Nuk më shqetëson. Mua më shqetëson humbja e jetës së njerëzve, sepse fjala është për djem e vajza të reja, të rinj të mrekullueshëm që rrezikojnë jetën e tyre për popullin amerikan. Por amerikanët, mbështetja e popullit amerikan do të jetë e qendrueshme dhe e patundur. Ata e kuptojnë se ne tashmë humbëm mijra jetë njerëzish. Alternativa jonë është kjo: ose Shtetet e Bashkuara do të nënshtrohen, do të terrorizohen dhe do të ndryshojnë mënyrën e jetesës, duke braktisur të gjitha liritë tona si dhe aftësitë tona për të funksionuar, ose do ta zhvillojmë këtë betejë në territorin e armikut dhe të terroristëve. Dhe ne duhet ta bëjmë patjetër këtë. Por a do të kemi humbje në njerëz? Me siguri që po. Qysh tani ne kemi humbur dy ushtarë fare të rinj. A do të ketë edhe të tjerë? Me siguri që po. Kjo është një punë e rrezikshme. Gjithashtu, edhe në Shtetet e Bashkuara do të ketë njerëz që mund të humbasin jetën nga aktet terroriste në të ardhmen. Por alternativa që kemi është: ose do të ndryshojmë mënyrën tonë të jetesës, ose do tu ndryshojmë terroristëve mënyrën e jetesës. Prandaj, nuk kemi rrugë tjetër veçse të veprojmë kështu.

JM: Nga njëra ana, ju vazhdoni fushatën ushtarake, ndërsa nga ana tjetër, Shteteve të Bashkuara u duhet të mendojnë për një qeveri afgane për të ardhmen. A nuk ju duket diçka kontradiktore?

DR: Së pari, fjala nuk është vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për një sërë vendesh. Janë dhjetra e dhjetra vende që po ndihmojnë në fushatën kundër terrorizmit. Ju keni të drejtë. Afganistanin duhet ta lemë në gjendje më të mirë se sa e gjetëm. Por do të ishte pothuajse e pamundur që ai të lihej më keq se sa e gjetëm. Talebani do të largohet, edhe Al-Qaeda do të largohet. Pra ata do të ikin dhe kjo është thjeshtë një çështje kohe. Se sa kohë do të duhet, këtë unë nuk e di. Dhe kur ata të kenë ikur, atje do të ketë diçka tjetër. Ne mund të jemi absolutisht të sigurt se gjendja do të jetë më e mirë. Ka shumë vende që mezi presin të ndihmojnë. Ka shumë njerëz që mezi presin të japin ndihma humanitare siç po bëjmë ne. Por në analizë të fundit, janë njerëzit që jetojnë në Afganistan që do të vendosin se si do të jetë qeveria e tyre. Në këtë rast nuk ekzistojnë modele të gatshme që mund t’u ofrohen atyre. Unë e kuptoj se nuk jam aq i mençur sa ta di me siguri se si duhet të organizaohet qeveria e atjeshme për të drejtuar vendin. Unë nuk njoh ndonjë njeri që të jetë aq i mprehtë sa ta kuptojë këtë. Ky do të jetë një proces. Dhe natyrisht, Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë në këtë drejtim, edhe vendet e tjera po përpiqen të ndihmojnë. Dhe ne u urojmë atyre punë të mbarë. Por detyra jonë, detyra jonë imediate është të shikojmë se sa shpejt mund ta eliminojmë Al-Qaedën dhe Talebanin nga ky vend dhe të japim njëkohësisht ndihmë humanitare për popullin afgan dhe pastaj, së bashku me vendet e tjera, të bëjmë ç’është e mundur për të krijuar një situatë të qendrueshme për një periudhë kohe, ndërkohë që ata përpiqen të vendosin se si do të qeverisen.

JM: Zoti Sekretar, ju faleminderit.

DR: Ju lutem. Jam i kënaqur që më ftuat.

XS
SM
MD
LG