Lidhje

Të rejat e fundit nga Afganistani - 2001-10-25


Aeroplanët amerikanë kanë ndërmarë një seri tjetër sulmesh ajrore në zonën e qytetit jugor afgan, Kandahar, ku është edhe kryeqendra e sundimtarëve talebanë. Shtypi Islamik Afgan me bazë në Pakistan citon zyrtarët talebanë të kenë thënë se një autobuz u shkatërrua në sulmet e sotme herët në mëngjes, duke shkaktuar shumë viktima. Ky njoftim nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Aeroplanët amerikanë sulmuan gjithashtu edhe pozicionet talebane të vijës së frontit në veri të kryeqytetit Kabul për të pestën ditë radhazi.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë taleban hodhi poshtë si thjesht propagandistik paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara se talebanët mund të helmojnë ndihmat ushqimore që po shpërndahen në Afganistan.

Zyrtari taleban, minsitri i Arsimit Mullah Amir Khan i tha Shtypit Islamik Afgan se askush nuk mund të jetë aq brutal dhe arogant sa të helmojë popullin e tij.

Dje, një zëdhënës i departamentit amerikan të Mbrojtjes tha se refugjatët afganë duhet të jenë të kujdesshëm ndaj çdo ndihme ushqimore që vjen nga talebanët dhe të pranojnë paketa ushqimesh vetëm nga agjencitë e njohura të ndihmave.

Forcat amerikane kanë hedhur mbi 700 mijë paketa me ushqime në Afganistan që nga fillimi i fushatës së bombardimeve më 7 tetor.

XS
SM
MD
LG