Lidhje

Kalendari Historik  28 tetor - 2001-10-29


Më 28 tetor 1919 presidenti Woodrow Wilson, i vuri veton projektligjit Volkstead, që kërkonte ndalimin me ligj në Shtetet e Bashkuara të pijeve alkoolike. Presidenti Wilson i vuri veton këtij projektligji sepse mendonte që amerikanët nuk favorizonin Amendamentin e 18-të, i cili ndalonte pijet alkoolike. Por Dhoma e Përfaqësuesve e rrëzoi veton presidenciale brenda dy orësh. Të njëjtën gjë bëri të nesërmen edhe Senati. Ligji Volkstead jepte përkufizime dhe caktonte gjoba për shkeljen e Amendamentit të 18-të të Kushtetutës, që ndalonte prodhimin, shitjen apo transportimin e pijeve alkoolike në Shtetet e Bashkuara. Ligji Volkstead përcaktonte si pije alkoolike ato që përmbanin më shumë se 5 për mijë alkool për njësi volumi. Ata që kundërshtonin ndalimin e pijeve alkoolike vinin në dukje efektin demoralizues të ligjit, të cilin e shkelnin rregullisht qytetarë të nderuar. Ata thoshnin se tregtia shumë fitimprurëse e pijeve të paligjshme ushqente rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë. Më 5 dhjetor 1933 u ratifikua amendamenti i 21-të i kushtetutës, i cili zhvlerësonte Amendamentin e 18-të dhe i bënte përsëri të ligjshme pijet alkoolike në Shtetet e Bashkuara.

Më 28 tetor 1793 shpikësi amerikan, Eli Whitney, bëri kërkesë për patentë për Makinën e tij për Pastrimin e Pambukut. Kjo makinë e pastronte pambukun nga farat. Ajo mund të pastronte në ditë 50 herë më shumë pambuk, sesa mund të pastronte një njeri me duar. Shumica e bujqëve të Jugut, mund të kultivonin vetëm një lloj pambuku, fijet e të cilit ngjiteshin pas farave. Rrjedhimisht pastrimi i pambukut me dorë ishte shumë i kushtueshëm edhe duke përdorur punën e skllevërve. Për shkak të kostos së lartë të pastrimit të pambukut, fermerët e jugut, kishin filluar të interesoheshin për kultura të tjera. Megjithatë makina për pastrimin e pambukut revolucionarizoi ekonominë e jugut. Nga fillimi i shekullit të 19-të pambuku ishte burimi kryesor i të ardhurave të shteteve të jugut amerikan dhe shitjet jashtë vendit të fijeve të pambukut po shtoheshin. Rajoni jugor, nga brigjet e Karolinës së Jugut e deri në Lumin Misisisipi, quhej Mbretëria e Pambukut.

XS
SM
MD
LG