Lidhje

Shqipëria të nxjerrë mësime nga zgjedhjet - 2001-11-02


Megjithë angazhimin e komunitetit ndërkombëtar në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit, parregullsitë serioze që u vunë re në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, mbeten për të një problem shqetësues. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, Christopher Smith, thotë se Shqipëria duhet të marrë masa për të krijuar një sistem zgjedhor më të lirë, më të drejtë dhe më transparent. Zoti Smith i bëri këto komente në një seancë diskutimesh në Kongresin amerikan, ku ishte i ftuar Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Mircea Geona, kryetari i radhës i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. Zoti Geoana e informoi Komisionin e Helsinkit lidhur me veprimtarinë e OSBE-së.

Bashkëkryetari i Komisionit amerikan të Helsinkit, Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Christopher Smith, shprehu shqetësim se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nuk ishin të lira e të drejta dhe nuk përmbushen standarded ndërkombëtare. Ai tha se Shqipëria duhet të marrë masa që zgjedhjet të jenë transparente. Të gjithë lojtarët në skenën politike, tha zoti Smith, duhet të kenë mundësi të barabarta për të shprehur platformat e tyre dhe qeveria nuk duhet të krijojë pengesa, por përkundrazi duhet të krijojë kushtet që procezi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me normat demokratike të njohura botërisht. Zoti Smith bëri këtë koment për Zërin e Amerikës: “Është domosdoshmëri morale për shqiptarët që të ndërtojnë një demokraci të mirëfilltë. Ne jemi aleatë dhe miq të mirë me Shqipërinë dhe kjo nuk do të ndryshojë, por ne duam të shikojmë një proces korrekt zgjedhjesh në Shqipëri. Do të theksoja se miqtë nuk i lejojnë miqtë të shkelin të drejtat e njeriut, pavarësisht se ato janë në nivelin kolektiv siç janë për shembull zgjedhjet, apo në nivelin individual si torturat dhe akte të tjera të këtij lloji. Prandaj ne dhe OSBE-ja do të donim të shikonim një proces zgjedhor më të drejtë dhe më transparent në Shqipëri.”

Në raportin e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR-it, vihet në dukje se procesi i votimeve në Shqipëri u shoqërua me parregullsi serioze, si manipulimi i fletëve të votimit, presioni politik ndaj Komisionit Qendror të Zgjehdjeve, mbulimi i njëanshëm i tyre nga televizioni publik shqiptar në favor të partisë në pushtet, hera herës ndërhyrja e policisë, moszbatimi i standardeve me korrektesë nga Gjykata Kushtetuese dhe gjykata të tjera në disa raste, duke mbështetur partinë në pushtet, si dhe qendrimi armiqësor i partive politike ndaj njera tjetrës.

Kryetari i rradhës i OSBE-së, Mircea Geoana, i cila dëshmoi para Komisionit të Helsinkit, i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin më të mira se zgjedhjet e mëparëshme, por ato lënë mjaft për të dëshiruar. “Në asnjë mënyrë ne nuk i nënvleftësojmë vështirësitë e shfaqura kohët e fundit, që nuk i kanë shërbyer harmonisë shoqërore dhe përmirësimit të atmosferës politike në vend. Në raportin tonë, në mënyrë miqësore ne vëmë në dukje se zhvillimet në Shqipëri kanë marrë një kahje pozitive, megjithëse mbetet mjaft vend për përmirësime të ndjeshme” tha zoti Geoana.

Në raportin e tij, ODIHR-i bën disa rekomandime si për shembull ngritjen e një komisioni parlamentar dy partiak për të diskutuar këto parregullsi dhe për të marrë masa që ato të mos përsëriten në të ardhmen, rishikimin e kodit zgjedhor në një sërë fushash kyçe, shqyrtimin me vëmendje të procesit të ankesave dhe apelimeve, si dhe hartimin me saktësi të listave të votuesve.

Pothuajse një muaj pas botimit të raportit të ODHIR-it, qeveria dhe partitë politike shqiptare nuk kanë marrë ndonjë masë për të zbatuar rekomandimet e OSBE-së. Partia Demokratike, forca më e madhe opozitare, ende nuk ka përfillur thirrjet e komunitetit ndërkombëtar që të marrë pjesë në punimet e parlamentit të ri shqiptar.

XS
SM
MD
LG