Lidhje

Rumsfeld: Talebani nuk funksionon më si qeveri - 2001-11-04


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld tha se pas rreth 1 muaji goditjesh ajrore, Talebani nuk funksionon më si qeveri.

Ai i bëri këto komente sot gjatë një vizite në Islamabad për bisedime me presidentin e Pakistanit Pervez Musharraf, një aleat i rëndësishëm i fushatës ushtarake të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Zoti Rumsfeld tha se Talebani ende ka përqendrime force dhe po i përdor ato në zona të ndryshme për të imponuar vullnetin e tij. Sekretari i mbrojtjes tha gjithashtu se Uashingtoni është i ndjeshëm ndaj shqetësimeve të Pakistanit dhe të vendeve të tjera myslimane lidhur me vazhdimin e bombardimeve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili fillon më 17 nëntor.

Zoti Rumsfeld arriti në Pakistan nga Tashkenti i Uzbekistanit, ku ai tha se në luftën kundër terrorizmit është arritur përparim konkret. Presidenti uzbek Islam Karimov u ka ofruar trupave amerikane një bazë ajrore për operacione kërkim-shpëtimi si dhe për operacione të ndihmës humanitare.

Zoti Rumsfeld po viziton 5 vende, turne që synon të rrisë mbështetjen ndaj fushatës së drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër Talebanit dhe kampeve terroriste në Afganistan.

Ndalesa tjetër e sekretarit Rumsfeld është India.

XS
SM
MD
LG