Lidhje

Bush: presion mbi bin Ladenin - 2001-11-06


Presidenti Bush deklaroi se do ta mbajë nën presion të vazhdueshëm ushtarak Osama bin Ladenin dhe mbështetësit e tij në Afganistan.

Ai tha se ka rëndësi thelbësore që armët e shkatërrimit në masë të mos lejohen të bien në duart e terroristëve. Presidenti Bush po i shkallëzon akuzat kundër organizatës terroriste Al-Qaida të bin Ladenit dhe Talebanit në Afganistan.

Në një fjalim të mbajtur me satelit në një konferencë kundër terrorizmit në Poloni, zoti Bush tha se Al-Qaida po kërkon të shtjerë në dorë armë bërthamore, biologjike dhe kimike. Ai tha se pikërisht për këtë arësye, Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë pa vonesë.

Ne nuk do të presim që të vdesin njerëz të tjerë të pafajshëm. Ne nuk do të presim që autorët e vrasjeve masive të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë, tha Presidenti.

Zyrtarë të administratës kanë folur edhe më parë mbi përpjekjet e terroristëve për të krijuar armë të shkatërrimit në masë. Por kjo ishte hera e parë që Presidenti Bush shtroi çështjen e armëve bërthamore.

Më pas, ai u tha gazetarëve se komentet e tij i bazonte mbi vetë fjalët e Osama bin Ladenit.

Ai e ka thënë vetë se ky është edhe synimi i tij. Dhe mendoj se fjalët e tij duhet t’i marrim seriozisht, tha presidenti Bush.

Gjatë komenteve që bëri në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Francës Jacques Chirac, presidenti Bush e pranoi se nuk e dinte me siguri nëse bin Ladeni dhe Al-Qaida zotërojnë armë të tilla. Por ai tha se nuk do të çuditej po të mësonte se ata po përpiqen të shtien në dorë armë bërthamore si dhe mjetet për t’i hedhur ato.

Në këtë rast kemi të bëjmë me një njeri të mbrapshtë, prandaj unë nuk do ta përjashtoja mundësinë që ai të krijonte armë të mbrapshta për t’i bërë keq qytetërimit që njohim ne, tha Presidenti Bush.

Ai tha se Amerika do ta ndjekë këmba-këmbës Osama bin Ladenin dhe ndihmësit e tij, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë.

Pikërisht për këtë arësye unë po përpiqem me të gjitha forcat që ta mbaj koalicionin të bashkuar. Dhe pikërisht për këtë arësye ne do ta mbajmë të pandërprerë presionin ushtarak ndaj bin Ladenit në Afganistan.

Presidenti tha se gjatë bisedimeve, i kishte shprehur besimin zotit Chirac se Amerika pa dyshim që do të fitojë.

Këtë javë, Shtëpinë e Bardhë do ta vizitojnë udhëheqës të Britanisë, Irlandës, Marokut, Kuvajtit, Brazilit dhe Indisë. Të shtunën, Presidenti Bush do të shkojë në Nju Jork për të folur para Kombeve të Bashkuara dhe do të zhvillojë një sërë takimesh, përfshirë takimin e tij të parë të drejtpërdrejtë me presidentin e Pakistanit Pervez Musharraf.

XS
SM
MD
LG