Lidhje

Powell mbi Lindjen e Mesme - 2001-11-07


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell thotë se tani për tani nuk ekzistojnë plane për ta shtrirë në Irak luftën kundër terrorizmit.

Dje, në një intervistë me televizionin egjiptian, sekretari Powell u shpreh se faza e parë e luftës drejtohet kundër talebanëve dhe objektivave terroriste në Afganistan. Ai tha se tani për tani nuk ekzistojnë plane për të ndërmarrë ndonjë operacion tjetër ushtarak.

Zoti Powell tha se Shtetet e Bashkuara po i ndjekin të gjitha pistat e hetimeve, por deri tani, tha ai, nuk ka dalë ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet Irakut dhe sulmeve të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara apo rasteve të kohëve të fundit me antraks.

Sekretari Powell parashikoi gjithashtu se Aleanca Veriore e opozitës në Afganistan do të fuqizohet. Ai tha se dimri i ashpër afgan mund t’i pengojë sulmet amerikane, por nuk do t’i ndalë ato.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara po punojnë për një plan të ri paqeje në Lindjen e Mesme, sekretari Powell tha se Shtetet e Bashkuara e kanë një plan, të cilin ai e quajti të shkëlqyer - rekomandimet e Komisionit Mitchell dhe rekomandimet e tjera të drejtorit të CIA-s, George Tenet.

Por zoti Powell tha se Izraeli dhe palestinezët duhet të ndalin dhunën përpara se të mund të arrihet ndonjë përparim drejt paqes.

XS
SM
MD
LG