Lidhje

Pardew u bën thirrje deputetëve shqiptarë - 2001-11-09


Në një intervistë që i dha sot Zërit të Amerikës, i dërguari amerikan për Maqedoninë, James Pardew u bëri thirrje deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë që të votojnë për paketën e ndryshimeve kushtetuese.

Ai tha se kjo paketë, me ndryshimet që pasqyron, ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

Z. Pardew tha se ky është një moment kritik për shqiptarët e Maqedonisë. Pas bisedimeve intensive dhe debateve të gjata e demokratike, tani ka ardhur çasti kur duhet të mbyllet ky proces dhe të votohet për marrëveshjen kornizë e për hyrjen e kushtetutës.

Komuniteti ndërkombëtar, tha ai, i mbështet plotësisht ndryshimet kushtetuese si dhe hyrjen e kushtetutës me ndryshimet e fundit që iu bënë asaj.

Paketa që i është paraqitur parlamentit, tha i dërguari amerikan Pardew, është më e mira për të zgjidhur çështjet politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Është në interes të deputetëve shqiptarë, tha ai, që të votojnë për marrëveshjen kornizë dhe për hyrjen e kushtetutës.

Nuk mund ta përfytyroj dot, tha zoti Pardew, se si një deputet shqiptar mund të votojë kundër kësaj pakete, sepse ajo u ofron përfitime shumë të mëdha shqiptarëve, ashtu siç u ofron përfitime edhe maqedonasve.

Ajo zgjidh problemet me të cilat janë ndeshur prej kohe shqiptarët. Prandaj duke marrë parasysh punën e madhe që është bërë deri tani, do të ishte një gabim i tmerrshëm që shqiptarët të votonin kundër paketës. Kjo, tha ai, do të përbënte një dështim për paqen dhe qendrueshmërinë afatgjatë në Maqedoni.

Zoti Pardew tha gjithashtu se po bëhet përparim i rëndësishëm lidhur me amnistinë për ish luftëtarët shqiptarë. Ai tha se çështja nuk është zgjidhur plotësisht, por po vazhdon puna me këmbëngulje dhe ajo do të përfundojë me sukses. Por amnistia, tha zoti Pardew, është një çështje tjetër. Problemi sot është të votohet pozitivisht për ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që shqiptarët të mund të përfitojnë nga bisedimet e paqes të zhvilluara gjatë verës.

XS
SM
MD
LG