Lidhje

Opozita afgane përparon drejt Kabulit - 2001-11-09


Aleanca Veriore e opozitës në Afganistan thotë se forcat e saj kanë avancuar deri në pozicionet e vijës së parë të fontit taleban në veri të kryeqytetit, Kabul. Një zëdhënës i opozitës u tha gazetarëve perëndimorë se forcat e Aleancës kanë marrë distriktin Qara Bagh rreh 25 kilometra nga qyteti. Por ky njoftim nuk është vërtetuar nga burime të pavarura.

Sipas njoftimeve të mëparëshme, trupat e Aleancës dhe ato të talebanëve ishin mbërthyer në shkëmbime të ashpra zjarri me artileri, ndërkohë që aeroplanët amerikanë bombardonin objektet talebane në afërsi të bazës ajrore Bagram që mbahet nga opozita rreth 35 kilometra në veri të Kabulit. Disa zyrtarë të Aleancës Veriore citohet të kenë thënë se forcat e opozitës kanë në plan të avancojnë sot deri në rrethinat e kryeqytetit.

Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje opozitës afgane që të mos hyjë në Kabul, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të krijojë një qeveri kalimtare me bazë të gjerë etnike për të zëvendësuar talebanët. Aleanca Veriore përbëhet kryesisht nga taxhikë dhe uzbekas, ndërsa shumica e popullatës së Kabulit është pashto.

Avancimi i forcave të opozitës drejt Kabulit pason një sërë fitoresh të saj ndaj talebanëve në pjesën veriore të vendit. Aleanca Veriore thotë se e ka marrë tani nën kontroll qytetin veriperëndimor Herat. Njoftime të tjera bëjnë të ditur se forcat e opozitës kanë marë edhe Kunduz-in në verilindje. Zyrtarët talebanë nuk kanë pranuar se i kanë humbur këto dy qytete, por kanë thënë se forcat e tyre janë tërhequr nga një numër zonash të tjera në veri pasi opozia mori të premten qytetin strategjik Mazar-e-Sharif afër kufirit me Uzbekistanin.

XS
SM
MD
LG