Lidhje

Kalendari Historik 10 nëntor - 2001-11-10


Më 10 nëntor 1775, Kongresi Kontinental krijoi Korpusin e Marinsave Amerikanë. Në vendimin për themelimin e kësaj arme të ushtrisë thuhej se forca e re luftarake do të punonte në anijet e flotës ushtarako-detare të vendit, duke marrë pjesë në luftime me anijet e kundërshtarit. Rezoluta autorizonte gjithashtu marinsat të ruanin rendin dhe disiplinën në anijet ku ndodheshin dhe të njihnin detyrat e marinarëve. Lufta e parë e marinsave u zhvillua në mars të vitit 1776, në një sulm të suksesshëm kundër qytetit New Providence, në ishujt britanike Bahamas. Që nga ajo kohë marinsat kanë marrë pjesë thuajse në çdo luftë dhe operacion ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Më 10 nëntor 1962 u organizua ceremonia e varrimit të Eleanor Roosevelt, e veja e presidentit Franklin Roosevelt. Në ceremoninë e përmortshme, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, U Thant, e quajti zonjën Roosevelt, si Zonjën e Parë të Botës. Gjatë 12 vjetëve të jetës së saj si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Eleanor Roosevelt zgjeroi, disa thonë revolucionarizoi, rolin e gruas politike. Ajo e ktheu funksionin e Gruas së Parë, e cila deri atëhere nuk kishte pasur ndonjë pozitë apo detyra zyrtare, në një bazë për veprim politik të pavarur. Eleanor Roosevelt e shprehu hapur mendimin e vet për çështje të tilla, që ajo vetë i konsideronte të rëndësishme, si të drejtat civile të zezakëve amerikanë, barazinë e plotë për gratë dhe çlirimin e popujve të shtypur të botës. Pastaj ajo i shoqëroi deklaratat e saj publike me përpjekje jozyrtare për t’i inkurajuar zyrtarët qeveritarë që të vepronin. Pas Luftës së Dytë Botërore ajo u zgjodh kryetare e Komisionit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, që hartoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

XS
SM
MD
LG