Lidhje

Bush flet në OKB - 2001-11-10


Presidenti Bush falenderoi botën për mesazhet e shumta të ngushëllimit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por tha se tani ka ardhur koha për vepra.

Në fjalën e tij në sesionin e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sot në New York, presidenti tha se çdo vend duhet të angazhohet konkretisht në luftën kundër terrorizmit dhe se historia do ta gjykojë çdo vend në bazë të qëndrimit që mban.

Presidenti Bush tha se vende apo grupe si qeveria Talebane e Afganistanit, të cilët strehojnë terroristë, janë po aq përgjegjës për politikat e tyre sa edhe vetë terroristët.

Ai tha se çdo vend kërcënohet nga terrorizmi dhe paralajmëroi se po përgatiten sulme të tjera. Ai paralajmëroi se ata që organizuan sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara do të përdornin armë kimike, biologjike apo bërthamore sapo t’u jepej mundësia.

Presidenti Bush tha se bota e qytetëruar tani po kundërpërgjigjet pasi e keqja duhet luftuar në mënyrë kolektive.

Presidenti tha se do të kryesojë nesër një delegacion ndërkombëtar të nivelit të lartë për në rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë, e cila u shkatërrua nga sulmet e 11 shtatorit. Ai shtoi se ndër ato mijëra viktima, trupat e të cilave ende ndodhen nën rrënoja, ka shtetas të vendeve të ndryshme, si Gambia, Meksika dhe Pakistani.

Presidenti Bush do të qëndrojë në New York dy ditë. Ai nuk do të takohet me udhëheqësin palestinez Yasser Arafat, vendim ky që ka shkaktuar debate. Por ai ka planifikuar takime kokë-më-kokë me udhëheqës të tjerë, përfshirë presidentin pakistanez Pervez Musharraf, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan.

XS
SM
MD
LG