Lidhje

Vriten tre policë në Maqedoni - 2001-11-12


Në Maqedoni, të paktën tre policë u vranë në një pritë nga shqiptarë të armatosur në pjesën veriore të vendit, duke kërcënuar edhe më shumë procesin e bllokuar politik të vendit. Përleshja shpërtheu në afërsi të fshatit Trebosh të Tetovës, ku policë maqedonas të armatosur rëndë ishin dërguar për të siguruar zonën e një varri masiv. Zyrtarët maqedonas thonë se varri përmban trupat e deri në 12 personave që thuhet se ishin rrëmbyer nga luftëtarët shqiptarë. Njoftohet se forcat policore kishin arrestuar një numër personash në atë zonë. Disa prej të ndaluarve dyshohet se kanë qenë anëtarë të Ushtrisë së shpërndarë Çlirimtare Kombëtare.

Ndërkaq, zyrtarë të policisë thonë se luftëtarët shqiptarë rrëmbyen më shumë se 60 persona në afërsi të Tetovës, e cila ka qenë skenë e luftimeve etnike që shpërthyen në muajin shkurt. Një nga të rrëmbyerit është drejtori i një stacioni vendor televiziv.

Incidentet e djeshme ndodhën ndërkohë që ligjvënësit vazhdojnë të shtyjnë votën për amendamentet e propozuara kushtetuese, pjesa thelbësore e një plani paqeje për Maqedoninë. Ky plan garanton miratimin e këtyre amendamenteve në shkëmbim të çarmatimit të luftëtarëve shqiptarë.

Luftëtarët i dorëzuan Natos më shumë se katër mijë armë në muajin shtator, por ligjvënësit nuk kanë arritur të miratojnë paketën për zgjerimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG