Lidhje

OKB: rezolutë kundër terrorizmit - 2001-11-13


Në takimin e zhvilluar në nivel ministrash të jashtëm, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u bëri thirrje njëzëri të gjitha vendeve që të ndërmarrin hapa të urgjente për të luftuar terrorizmin.

Takimi filloi me një minutë zi për viktimat e atyre që gjetën vdekjen në rrëzimin e avionit në Nju Jork. Megjithëse nuk ka ndonjë shenjë që rrëzimi të ketë qenë një akt terrorizmi, anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehën dëshirën për të nderuar kujtimin e viktimave.

Pastaj, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan hapi takimin duke theksuar se në botë ka shumë grupe terroriste me programe të ndryshme politike, por ata kanë një gjë të përbashkët. Dhe ajo që ata kanë të përbashkët është diçka që nuk mund të justifikohet.

Nuk mund të pranohen veprimet e atyre njerëzve që përpiqen të justifikojnë vrasjen e qëllimshme të civilëve të pafajshëm, pavarësisht nga shkaku i protestës së tyre, tha zoti Annan.

Ai tha se ka besim që uniteti global kundër terrorizmit, i arritur pas 11 shtatorit, do të vazhdojë.

Disa vende të Këshillit të Sigurimit shprehën pastaj indinjatën e tyre kundër terrorizmit dhe angazhimin për ta luftuar atë. Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se, meqenëse terroristët veprojnë mbi një bazë globale, të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë për ta luftuar atë.

Konkretisht, ne duhet të ndihmojmë forcat e policisë, shërbimet e zbulimit dhe sistemet bankare kudo në botë për të izoluar dhe çrrënjosur armiqtë tanë të përbashkët, kudo që ata mund të fshihen, tha Powell.

Pastaj, Këshilli i Sigurimit vazhdoi punimet me miratimin e një rezolute, e cila ka më tepër vlerë simbolike. Në rezolutë u bëhet thirrje të gjithë vendeve të respektojnë masat konkrete të luftës kundër terrorizmit që përmbahen në një rezolutë tjetër të miratuar në shtator. Megjithatë, në rezolutën e tanishme thuhet se disa vende mund të kenë nevojë për ndihmë ndërkombëtar në zbatimin e strategjike anti-terroriste. Në raste të tilla, theksohet aty, Kombet e Bashkuara do të japin informacione dhe këshilla teknike.

XS
SM
MD
LG