Lidhje

Kalendari Historik 13 nëntor - 2001-11-13


Më 13 nëntor 1956 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, arriti njëzëri në përfundimin se ligjet e qytetit Montgomery, në shtetin Alabama, që mbronin diferencimin racial në autobusët publikë ishin jokushtetues. Çështja u ngrit nga Rosa Parks, një rrobaqepëse zezake nga qyteti Montgomery. Zonja Parks u arrestua, pasi nuk pranoi t’i lëshonte vendin ku ishte ulur në autobus, një pasagjeri të bardhë, siç e kërkonin ligjet e qytetit dhe të shtetit. Meqë vendimi i Gjykatës së Lartë bazohej në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, ai përcaktonte parime që lejonin të kundërshtoje me gjyq ligjet e diferencimit racial nëpër autobusë në gjithë shtetet e jugut, ku diskriminimi racial ishte diçka e rëndomtë.

Më 13 nëntor 1927, politikanë nga shtetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të Tunelit Holland, i pari tunel i gjatë nënujor, i projektuar posaçërisht për kalimin e mjeteve të motorizuara. Kryetarët e bashkive, të qyteteve Jersey City dhe Nju Jork, mbajtën fjalimet e rastit, banda luajti muzikë dhe pastaj u pre shiriti. Më pas një varg automobilash, në të cilët kishin hipur zyrtarë, kaloi nëpër tunelin 2 presje 6 kilometra të gjatë, që lidh qytetet Jersey City dhe Nju Jork. Thellësia maksimale e tunelit është 25 metra nën nivelin e Lumit Hudson. Problemi më i madh për inxhinierët ishte projektimi i një sistemi për pastrimin e ajrit në tunelet dhe për të mos lejuar që ata të bllokoheshin nga tymrat e gazeve të djegura të makinave. Problemi u zgjidh me ndërtimin e 4 kullave të ajrimit me ventilatorë të fuqishëm, që ndërrojnë ajrin e tuneleve binjakë çdo 90 sekonda. Tuneli e mori emrin nga kryeinxhinieri i tij i parë, Clifford Holland.

XS
SM
MD
LG