Lidhje

Opozita afgane në Kabul - 2001-11-13


Aleanca opozitare e Veriut në Afganistan thotë se tani që ka marrë nën kontroll Kabulin, ajo dëshiron që Kombet e Bashkuara të ndihmojnë për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë.

Në konferencën e tij të parë për shtyp pas marrjes së Kabulit, zëdhënësi i Aleancës Abdullah Abdullah tha se opozita nuk kishte në plan të hynte në Kabul, por u detyrua ta bënte këtë pasi forcat talebane e braktisën papritur qytetin duke e lënë atë në kaos. Po ashtu ai ftoi gjithë grupet afgane, me përjashtim të talebanëve, të mblidhen në Kabul për të diskutuar për qeverinë e re. Në New York Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u bëri thirrje fraksioneve të ndryshme afgane të mblidhen në një konferencë për të vendosur mbi të ardhmen e vendit.

Ndërkohë udhëheqësi i grupit taleban, Mullah Mohammad Omar u bëri thirrje luftëtarëve të shpërndarë që të mos dezertojnë por të rigrupohen për të luftuar kundër Aleancës së Veriut.

OKB e shqetësuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Afganistan

Komisionerja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Mary Robinson, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë të garantojnë që me hyrjen e forcave të Aleancës Veriore në qytetet e kontrolluara më parë nga talebanët, të mos masakrohen civilët afganë. Zonja Robinson i bëri këto komente gjatë vizitës së saj në Indi. Ajo tha se gjatë viteve të fundit, forcat e ndryshme që kanë ardhur në pushtet në Afganistan, kanë bërë masakra ndaj civilëve, përdhunime dhe raprezalje hakmarrëse. Zonja Robinson tha se në të kaluarën masakrai i kanë kryer si forcat talebane, edhe ato të Aleancës Veriore. Komisionerja Robinson u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe shteteve të tjera, pjesëtare të koalicionit anti-terrorist të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ta bëjnë të qartë se nuk do të tolerojnë dhe shkelin të drejtat e civilëve dhe se autorët e dhunës do të nxirren para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG