Lidhje

Dita e fundit e bisedimeve Bush-Putin - 2001-11-14


Pjesëmarrësit në takim janë të njëjtët, vetëm vendndodhja ka ndryshuar nga Washingtoni në fermën e presidentit Bush në qytetin e Crawfordit në qendër të Teksasit. Një avion i madh rus zbriti dje pas dite, ndërkohë që presidenti George Bush dhe presidenti rus Vladimir Putin vazhdojnë diskutimet. Helikopteri zbriti ndërkohë që vazhdonte shiu. Presidenti Bush hapi çadrat për zotin dhe zonjën Putin si dhe për zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara Laura Bush. Presidenti Putin na solli shi, një fenomen gjithnjë i mirëpritur në Teksas, tha zoti Bush. Të katër ata hipën në kamionin e presidentit, të cilin e drejtonte vetë zoti Bush dhe u nisën drejt një vendi të preferuar, të shoqëruar si gjithnjë nga shërbimi sekret.

Gjatë udhëtimit për në fermë me aeroplanin e presidentit, një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se nuk pritet të arrihet ndonjë marrëveshje lidhur me traktatin mbi raketat balistike. Presidenti Bush dëshiron ta shfuqizojë traktatin, duke e cilësuar atë të vjetëruar. Në formën e tij aktuale ky traktat nuk lejon dislokimin e një sistemi amerikan të mbrojtjes nga raketat.

Presidenti rus Putin e konsideron këtë një çështje kyçe në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy vendeve. Siç është shprehur administrata, dy udhëheqësit do të vazhdojnë ta diskutojnë këtë çështje edhe pas takimit në Crawford. Të martën udhëheqësi rus tha, përmes një përkthyesi, në fjalën e tij para të ftuarve në ambasadën ruse në Washington se bota nuk ka të drejtë të harrojë viktimat e akteve terroriste dhe duhet të mbrojë ata që ende kërcënohen nga terrorizmi. "Sot e dimë se asnjë vend apo komb nuk është i mbrojtur nga ky kërcënim -- asnjë popull në botë tha presidenti Putin. Ai tha se terroristët u përpoqën ta frikësojnë dhe të përçajnë komunitetin ndërkombëtar. "Por ata sollën konsolidimin dhe solidaritetin tonë. Një solideratet të paparë në historinë moderne", tha presidenti rus.

Në Teksas zoti dhe zonja Putin hëngrën një darkë tradicionale në natyrë, ku ishte i ftuar edhe një grup muzikor i muzikës western. Çifti Putin kaloi natën në fermë dhe sot të dy udhëheqësit do të flasin në një shkollë të mesme në qytet ku do t’u përgjigjen edhe pyetjeve të nxënësve të shkollës.

Presidenti Bush u tha gazetarëve se “Diplomacia më e mirë fillon me përpjekjet për të njohur njëri-tjetrin.” Në atmosferën jo-zyrtare të fermës 650 hektarëshe në Teksas, pritet që deri nesër dy udhëheqësit dhe bashkëshortet e tyre të kenë arritur të thellojnë ndjeshëm njohjen me njëri tjetrin.

XS
SM
MD
LG