Lidhje

Talebanët rezistojnë - 2001-11-15


Në Afganistan, talebanët deklaruan se do të mbrojnë bazën e tyre jugore të Kandaharit dhe mohuan njoftimet se udhëheqësit e tyre janë gati të largohen nga qyteti.

Një zëdhënës i udhëheqësit taleban Mullah Mohammad Omar, tha se mijra luftëtarë ndodhen në Kandahar të gatshëm për të luftuar. Zëdhënësi i quajti gënjeshtra njoftimet e agjencisë Shtypi Islamik Afgan me qendër në Pakistan, sipas të cilave talebanët po përgatiten për t’u tërhequr.

Kandahari është baza e talebanëve dhe rënia e tij do të shënonte shëmbjen përfundimtare të sundimit taleban në Afganistan.

Ndërkohë, në Afganistanin jugor ndodhen forca speciale amerikane në kërkim të Osama bin Ladenit dhe përkrahësve të tij.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se qindra trupa ndodhen tashmë në terren dhe një pjesë e tyre kanë marrë pjesë në veprime luftarake por midis amerikanëve nuk ka patur viktima.

Njoftohet ndërkohë se në fillim të kësaj jave, gjatë një sulmi ajror amerikan në afërsi të Kabulit, është vrarë me sa duket një nga ndihmësit kryesorë të bin Ladenit, Mohammed Atef. Zyrtarët amerikanë thonë se nëse konfirmohet, vdekja e tij do të ishte një goditje e rëndë për bin Ladenin dhe organizatën e tij Al-Qaida.

Mohammed Atef, ish polic egjiptian, ka kryesuar komandën ushtarake të Al-Qaidës, dyshohet se ka luajtur rol në planifikimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Kundër tij është ngritur padi edhe për shpërthimet e vitit 1998 në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, ku humbën jetën 224 veta dhe u plagosën mijëra të tjerë.

Shtohen operacionet humanitare në Afganistan

Koalicioni kundër terrorizmit i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po i shton operacionet humanitare në Afganistan. Rreth 60 ushtarë francezë do të shkojnë në qytetin afgan verior të Mazar-I-Sharifit. Këto trupa do të sigurojnë një bazë, që do të përdoret për dërgimin e ndihmave ndërkombëtare. Më parë, rreth 100 marinsa britanikë zbritën në bazën Bagram në veri të Kabulit. Kjo bazë ka disa aerodrome, ku mund të zbresin aeroplan të mëdhenj transporti, të nevojshëm për të transportuar ndihmat humanitare. Dje, një zyrtar i lartë amerikan për ndihmat vizitoi Afganistanin verior për të parë nga afër gjendjen. Drejtori i Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, Andrew Natsions, tha se agjencia e tij ka një buxhet prej 120 milion dollarësh për projektet e ndihmave në Afganistani për vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG