Lidhje

Tirana i sheh zgjedhjet e 17 nëntorit si “themelet e Kosovës demokratike” - 2001-11-15


Qeveria e Shqipërisë deklaroi të mërkurën se po ndiqte me vëmendje dhe interesim fushatën zgjedhore të Kosovës, e cila po ecën normalisht, falë pjekurisë së forcave politike shqiptare dhe pakicave atje.

Zëdhënësi, Thoma Gëllci, tha në emër të qeverisë se zgjedhjet e 17 nëntorit janë një hap i madh përpara drejt vetqeverisjes së Kosovës. “Mbajtja e zgjedhjeve demokratike e multietnike në Kosovë është një hap shumë i rëndësishëm në zbatim të Rezolutës 1244 të këshillit të sigurimit të OKB-së dhe të kuadrit kushtetues të njohura ndërkombëtarisht, që i hapin rrugën vetqeverisjes në Kosovë në bashkëpunim me UNMIK-un. Qeveria e Shqipërisë dëshiron dhe shpreh besimin e saj se zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit do të jenë shumë të rëndësishme për të hedhur themele të qëndrueshme për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe europiane në dobi të stabilitetit, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit” – thuhet në deklaratë.

Zoti Gëllçi tha se qeveria vlerëson si arritje të shefit të UNMIK-ut, Hans Hakerup pjesëmarrjen e serbëve në këto votime.“Është për t’u përshëndetur me këtë rast edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e 17 nëntorit, gjë që siguron një organizim zgjedhjesh të përgjithshme mbi baza multietnike. Mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të çojë në krijimin e institucioneve legjitime demokratike, ku krahas shumicës shqiptare do të përfaqësohen edhe pakicat kombëtare”.

Edhe parlamenti shqiptar shprehu optimizmin disa ditë më parë se zgjedhjet e Kosovës do të shkonin në mënyrë të qetë dhe se ishte e nevojshme një pjesëmarrje sa më e gjerë në to e të gjithë banorëve. Në deklaratën e parlamentit thuhet se prej këtyre zgjehdjeve do të dalin institucione demokratike të qëndrueshme që do të krijojnë të ardhmen europiane të Kosovës.

XS
SM
MD
LG