Lidhje

Tirana dhe Podgorica rregullojnë rrugët dhe hekurudhat mes tyre - 2001-11-15


Shqipëria dhe Mali i Zi po shtojnë bashkëpunimin për të përmirësuar infrastrukturën rrugore mes tyre, në kuadër të ambicjeve për një komunikim më të mirë ekonomik me Europën.

Ministrat e transporteve të dy vendeve, Maqo Lakrori, dhe Jusuf Kalamperovic, ranë dakord gjatë bisedimeve në Tiranë për t’i dhënë një shtytje të re investimeve në segmente rrugore, hekurudhore dhe detare përmes kufijve të tyre me përfitim të ndërsjelltë. Ministri shqiptar i transporteve, Maqo Lakrori, tha për shtypin pas bisedimeve se shumë shpejt hekurudhat shqiptare do të lidhen me sistemin europian të hekurudhave përmes Malit të Zi.

“Në fund të dhjetorit do të vihet në funksionim stacioni ndërkombëtar hekurudhor i Bajzës, do të rifillojë funksionimi i linjave hekurudhore Shqipëri Mali i Zi, vitin e ardhshëm do të lidhet edhe Bajza me Shkodrën dhe në këtë mënyrë, i gjithë sistemi hekurudhor shqiptar do të lidhet me sistemin hekurudhor të Malit të Zi dhe nëpërmjet tij me sistemin hekurudhor evropian” – tha Lakrori.

Ndërsa Ministri malazez i Transporteve, Jusuf Kalamperovic, tha se bahskëpunimin në fushën e transporteve nuk e pengon tashmë asnjë cështje politike dhe se marrëdhëniet mes tyre janë duke përmirësuar gjithnjë e më shumë.

“Është në interes që të lidhin popujt, ekonominë, dhe gjithcka me qëllim të integrimit të përbashkët në europë dhe insticionet europiane” – tha Kalamperoviç.

Ekspertët e të dy vendeve diskutuan në detaje edhe për ndërtimin e një superstrade Shkodër- Hani i Hotit – Podgoricë - Sarajevë dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët edhe me pjesëmarrjen e Bosnje Hercegovinës.

Gjithashtu u ra dakord edhe për rregullimin e rrugës Shkodër – Tivar, si dhe të pikave kufitare Murriqan dhe Sukobinë. Tirana dhe Podgorica do të forcojnë bashkëpunimin në transportin detar Durrës, Sarandë, Vlorë, Shëngjin dhe Ulqin, Tivar, Kotor, si dhe shfrytëzimin më të mirë për turizëm të liqenit të Shkodrës.

XS
SM
MD
LG